Turqia ndihmon Kosoven ne fushen e sigurise dhe arsimit
Albeu.com
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skender Hyseni në takimet e djeshme me udhëheqësit e shtetit turk ka marrë garancinë e autoriteteve turke për mbështetje të vazhdueshme në procesin e njohjes, shtetformimit dhe asistencë teknike në çdo fushë.Një nga miqtë e djeshëm të Ministrit të Jashtëm të Turqisë, Ahmet Davutollu ishte edhe homologu i tij kosovar Skender Hyseni.
Vizitën në Turqi, Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skender Hyseni e realizoi me ftesë të Ministrit të Jashtëm turk, Ahmet Davutollu.
Në konferencën e përbashkët për shtyp Davutollu theksoi se Kosova është një vend shumë i rëndësishëm për stabilitetin në Ballkan.
Kurse Skender Hysejni konferencën e shtypit e shfrytëzoi për të ftuar biznesmenët turq për të bërë investime në Kosovë.
Turqia, si një nga vendet e para që e njohu shtetin e ri të Kosovës pas luftës, do të bëjë çfarë ka në dorë për rindërtimin e Kosovës.
Ministri i Jashtëm Davutollu tha: "Në këtë kontekst Turqia do ta ndihmojë Kosovën me çfarë të ketë mundësi për ndërtimin e strukturës së shtetit në shumë tema si ndihmë teknike ushtarake, marrëdhënie ndëruniversitare, trajnimi i policisë së Kosovës, aktivitetet e TIKA-s në Kosovë.”
Edhe Ministri i Jashtëm i Kosovës, Zoti Hyseni, kërkoi mbështetjen e Turqisë për njohjen e vendit të tij.
Hyseni pasi rikujtoi se Kosova është njohur deri tani nga 62 vende, tërhoqi vëmendjen se edhe vendet anëtare të Organizatës së Konferencës Islamike duhet ta njohin Kosovën për një stabilitet të qëndrueshëm në Ballkan.
Një takim shumë miqësor dhe të frytshëm, Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, z. Skender Hyseni, ka bërë edhe Presidentin e Republikës së Turqisë, z. Abdullah Gül. Në takim, Ministri Hyseni i ka shprehur Presidentit turk falënderimet më të sinqerta të popullit dhe Qeverisë së Kosovës për përkrahjen e vazhdueshme që i jep shtetit të ri të Kosovës.
Në takim, Ministri Hyseni ka ngritur rëndësinë e intensifikimit të përkrahjes së Republikës së Turqisë në planin e njohjeve dhe të integrimit të plotë të Republikës së Kosovës në familjen ndërkombëtare, duke theksuar veçanërisht ndikimin e madh dhe të pazëvendësueshëm të Republikës së Turqisë tek vendet e Organizatës së Konferencës Islamike dhe tek vendet e Ligës së Shteteve Arabe.
Nga ana e tij, Presidenti Gül e ka siguruar Ministrin Hyseni se Republika e Turqisë do të vazhdojë të ofrojë mbështetjen e saj të përhershme për Kosovën dhe ka shprehur besimin e tij për rritjen e numrit aktual të njohjeve. Ai ka thënë se ky proces ka hyrë në rrugë të pakthyeshme. (trt/alsat/albeu)
Shtuar më 30/08/2009, ora 21:43
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori