Turqia mbështet vullnetin e popullit të Kosovës
Albeu.com
"Pavarësia e Kosovës është opsioni ynë i vetëm dhe ne tjetër vizion nuk kemi", tha Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, në takimin me shefin e ri të Zyrës së Turqisë në Prishtinë, Mustafa Sarniç, me të cilin bisedoi për një varg çështjesh, e me theks të veçantë në thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve në mes dy vendeve.Pasi e falënderoi z. Sarniç për ndihmën e Turqisë dhe përkrahjen e saj për pavarësinë e Kosovës, Presidenti Sejdiu theksoi se Kosova ka kërkuar fillimisht një prani të lehtë civile dhe praninë e NATO s, e cila do të mbikëqyrë formimin e një force mbrojtëse të Kosovës, sipas parametrave të ushtrive moderne. Më tej, Presidenti Sejdiu veçoi rolin e mirë të pakicës turke në Kosovë, duke theksuar se ajo është pjesë aktive e jetës politike dhe institucionale. Shefi i ri i Zyrës së Turqisë, Mustafa Sarniç, tha se marrëdhëniet në mes Turqisë dhe Kosovës janë familjare. "Turqia do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën si deri më tani. Ne kemi projekte të ndryshme në ekonomi, kulturë, arsim etj., dhe do të punojmë edhe më tej në fushën e sigurisë, me anë të kontingjentin tonë në KFOR, në Zonën e Juglindjes, si dhe me policët tanë që shërbejnë në kuadër të policisë ndërkombëtare", theksoi z. Sarniç. Duke theksuar përkrahjen për Pakon e Ahtisaarit, ai pohoi se Turqia mbështet vullnetin politik të shumicës së qytetarëve të Kosovës.
Shtuar më 11/09/2007, ora 15:55
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori