Turqia dhe Serbia nën vëzhgim të BE-së
Albeu.com
BE do të rishikojë të Martën progresin e Turqisë dhe Serbisë për anëtarësi të mundshme në BE, disa javë para se Komisioni Evropian të dalë me raporte kyçe për të dy vendet.Një trojkë e autoriteteve të larta të BE-së, midis tyre edhe komisioneri i zgjerimit, Olli Rehn do të mbajnë takime të veçanta në Luksemburg me ministrin e jashtëm turk, Abdullah Gul dhe kryeministrin serb, Vojislav Kostunica.

Paralajmërimi më i fundit për Ankaranë erdhi në prag të bisedimeve.

Presidenti i komisionit evropian, Jose Manuel Barroso i tha BBC-së se Turqia nuk pritet të jetë anëtare e BE-së edhe për 15-20 vjet të tjera, por ai shtoi se ishte i shqetësuar se rrjedha e reformave ishte shumë e ngadaltë.

Trojka evropiane do të ritheksojë edhe një herë thirrjet që kodi penal i Turqisë të ndryshojë për të siguruar më shumë liri të shprehjes si dhe që anijet e Qipros të lejohen në portet turke.

Ndërkohë, Serbia ka dështuar që në hapin e parë në rrugën e gjatë për anëtarësi në BE.

Rifillimi i bisedimeve me Beogradin varet nga arrestimi dhe dorëzimi i të dyshuarit për krime lufte, Ratko Mlladiç në Hagë.

Por, diplomatë të BE-së thonë se raporti më i fundit nga kryeprokurja e Hagës, Carla del Ponte do të jetë negativ.

Ka gjithashtu shqetësime për referendumin e ardhshëm mbi kushtetutën e re serbe që e përshkruan Kosovën pjesë integrale të Serbisë.

BE do t'i bëjë thirrje Beogradit të përmbahet nga çdo akt unilateral që mund të vonojë ose bllokojë një plan të OKB për statusin final të Kosovës që pritet gjerësisht të çojë në një lloj pavarësie. bbc
Shtuar më 16/10/2006, ora 10:08
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori