Turp, polici tenton të dhunojë një vajzë 21-vjeçare në tualetin e kufirit
Tri ditë më parë, në pikën kufitare Kosovë-Shqipëri, një zyrtar i Policisë së Kosovës ka tentuar ta dhunojë një femër të moshës 21-vjeçare, në tualetin e kufirit. Krejt kjo ngjarje ka ndodhur në territorin e Shqipërisë, derisa zyrtari ishte në detyrë. Këtë ngjarje të rëndë e kanë konfirmuar edhe Policia e Kosovës dhe IPK-ja.

Mësohet se bëhet fjalë për Gëzim Berishën, zyrtar i Policisë së Kosovës, i cili deri para se ta kryej këtë vepër skandaloze të tentim dhunimit, ka punuar në pikën kufitare të Vërmicës.

Edhe Inspektorati i Policisë së Kosovës dhe Policia e Kosovës kanë konfirmuar se personi në fjalë, është arrestuar si dhe suspenduar nga puna.

“Inspektorati Policor i Kosovës më 01.05.2018 përmes Linjës së Kaltër ... ka pranuar një informatë nga Stacioni Policor – Pika Kufitare Vërmicë, në lidhje me një rast “tentim dhunimi” ku ishte i përfshirë si i dyshuar zyrtari policor me inicialet G.B, punonjës në Pikën Kufitare të Vërmicës”, thuhet në përgjigjen e IPK’së për Gazetën Express.

Mësohet se Gëzim Berisha kishte shkuar në tualetin që gjendet në territorin e Shqipërisë në këtë pikë kufitare dhe kishte tentuar ta dhunojë 21-vjeçaren nga Istogu.

Ai, fillimisht u arrestua nga policia e Shqipërisë, e më pas u dorëzua tek autoritetet kosovare.

Inspektorati i PK-së tha se në vend të ngjarjes kanë dalë menjëherë hetuesit e IPK-së dhe kanë ndërmarrë veprime në koordinim me prokurorin kujdestar nga Prokuroria Themelore e Prizrenit.

“I dyshuari i lartcekur është arrestuar me urdhër të prokurorit (akoma është në mbajtje), si dhe është suspenduar”, thuhet në përgjigje.

Hetuesit e IPK’së, gjithashtu bëhet e ditur se kanë ngritur kallëzim penal dhe kanë rekomanduar vazhdimin e suspendimit deri në një vendim tjetër për Gëzim Berishën.

Mosha e zyrtarit policor nuk është bërë e ditur ende, megjithatë, Express ka kontaktuar edhe me Policinë e Kosovës, por të njëjtit vetëm kanë konfirmuar se rasti është dërguar në Inspektorat Policor për hetime të mëtejme.

“Referuar kërkesës suaj ju informojmë se rasti është proceduar ne Inspektoratin Policor për hetime te mëtejme sipas procedurave ligjore, andaj për informacione shtese mund t’iu adresoheni te njëjtëve (IPK-se)”, thuhet në përgjigjen e PK-së.
Shtuar më 03/05/2018, ora 15:48

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori