Arrestimi i zyrtarëve të Ministrisë së Financave, Artan Hoxha: Skema abuzive u  zbulua rastësisht, banka iu drejtua prokurorisë

Gazetari Artan Hoxha ka shpjeguar skemën se si është zbuluar abuzimi me 1.4 milionë euro nga ana e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Financave, një përmbaruesi dhe një tjetër zyrtari.

Hoxha shpjegoi në emisionin “Opinion” se kjo skemë është zbuluar në mënyrë rastësore, pas një denoncimi të çuar në prokurori nga një bankë e nivelit të dytë në vend. Jo vetëm kaq, por Hoxha tha se Ilir Thano, përfituesi i pronës kishte kërkuar për të vetëm 300 mijë euro, ndërkohë që i janë dhënë 1.4 milionë euro.

“Ministria e Financave ka disbursuar në bankë këstin e parë, 480 mijë euro. Thano nuk mund të shkonte në bankë sepse ishte kreditor dhe kishte 20 mijë euro pa paguar. Dhe shkon tek banka dhe çon të motrën. E motra hyn në sportel dhe tërheq 260 mijë euro. Ky priste atje, sepse kanë qenë kamerat që e kanë filmuar.

Banka në atë kohë shikon që në llogarinë e përmbbaruesit ishin 220 milionë lekë. Banka e shikon dhe i thotë që ti nuk mund të çosh lekë tek llogaria e të afërmit të Thanos, sepse ai është debitor tek unë dhe më parë duhet të më paguash mua. Banka e ka çuar çështjen në prokurori dhe nis hetimi mbi kallëzimin e bankës.  Dhe nga hetimi se nga vijnë këto para është parë gjithë kjo praktikë korruptive”, u shpreh Hoxha.