Turizmi, Gjermeni apel për investitorët francezë
Ministrja Gjermeni i ka shprehur ambasadorit ngushëllimet e saj për ngjarjet terroriste në Francë, duke shprehur solidaritetin dhe mbështetjen e të gjithë qytetarëve shqiptarë.

Ambasadori francez tha se mund ta kishte anuluar takimin për shkak të situatës së tensionuar, por nuk e bëri enkas këtë gjë. Ai tha se donte që francezët të shohin Shqipërinë si një model të bashkëjetesës fetare.

Biseda u bazua në vizitën zyrtare të ministres GjermeniParis, që është ndër më të rëndësishmet për vitin 2015, për të rritur numrin e vizitorëve nga Franca, si dhe për të përfshirë Shqipërinë si destinacion turistik për tregun Francez.

Ambasadori e informoi ministren se rreth 30 agjenci franceze e presin për tu takuar në Paris. Nga ana e saj, Gjermeni u shpreh se është mirënjohëse për mbështetjen e ambasadës, për njohjen e turizmit tonë në Francë.

“Kjo është një mundësi shumë e mirë, për tu takuar me sipërmarrës të mëdhenj, duke dashur të promovojmë Shqipërinë, trashëgiminë kulturore, tolerancën fetare, mikëpritjen dhe solidaritetin që i karakterizon shqipëtarët”, theksoi ministrja Gjermeni.

Ambasadori përmendi linjën direkte nga Parisi në Tiranë, që fillon fluturimet në 31 mars dhe një linjë të dytë që do të nisë fluturimet në korrik, si dy faktorë të rëndësishëm që do të ndikojnë në shtimin e turizmit dhe vlerësoi peisazhin e mrekullueshëm, historinë, kulturën, dëshminë e thellë të harmonisë dhe bashkëjetesës fetare, si thesare të Shqipërisë për t’ju treguar turistëve francezë.

Ai bëri një apel për investitorët francezë, që të vijnë e të investojnë në Shqipëri. Këto takime do ti shërbejnë jo vetëm promovimit dhe njohjes së Shqipërisë si destinacion turistik, por dhe promovimit të imazhit të një Shqipërie të re, me vlera dhe që luan një rol të rëndësishëm në Ballkan.

Vetëm në 9 mujorin e 2014, në Shqipëri kanë ardhur rreth 32 mijë vizitorë francezë dhe fluturimi direkt si dhe aktivitet e tjera që janë planifikuar në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Turizmit, Ambasadën Franceze dhe Ambasadën në Francë do të rrisin numrin e turistëve.

Në programin e vizitës zyrtare në Paris përfshihet dhe pjesëmarrja e Ministres në punimet e Konferencës së tretë Ndërkombëtare me temë “Reputation War”, me datë 16 Janar, ku do të prezantojë Shqipërinë me temën “Si të ndryshosh imazhin e vendit pas dekadave të një reputacioni jo të mirë?”. Kjo është një mundësi e mirë për të promovuar vendin dhe për të theksuar se pozicioni gjeografik i Shqipërisë, nismat e ndërmarra për nxitjen e investimeve të huaja dhe siguria për investime, e kthen Shqipërinë në një destinacion autentik për tu vizituar dhe investuar. /albeu.com/

Shtuar më 09/01/2015, ora 16:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori