Tuneli i Kalimashit, gati ne pranvere
Albeu.com
“Tuneli i Kalimashit mendohet të hapet në pranverë”, ka theksuar një zyrtar i kompanisë “Bechtel & Enka”. Burime të kompanisë ndërtuese bëjnë të ditur se po punohet me intensitet të shtuar në tubin jugor të tunelit të ...... Kalimashit, i cili ka pësuar një shembje në mbrëmjen e 5 nëntorit të vitit kaluar, prej kur edhe mbahet i mbyllur për qarkullim.
“Punimet po vazhdojnë me intensitet përgjatë 24 orëve. Punëtoret dhe specialistët janë ndarë në 10 grupe dhe po kryejnë të gjitha llojet e punimeve në tubin jugor të tunelit të Kalimashit, i cili mendohet të hapet në pranverë”, ka theksuar një zyrtar i kompanisë “Bechtel & Enka”.
Kompania pohon se më me intensitet është duke punuar në këtë tub, për shkak se sipas kontratës ky është tubi që duhet lëshuar i pari në qarkullim.
Burime të kompanisë “Bechtel&Enka” kanë bërë të ditur gjithashtu se proceset e punës në tunel po vazhdojnë edhe në pjesën e shembur.
Pas shembjes në tubin jugor të tunelit të Kalimashit Qeveria shqiptare kontraktoi specialistë nga Austria e Gjermania të cilësuar nga më të mirët në botë për t’i dhënë zgjidhje teknike pjesës së shembur. Specialistët austriakë dhe gjermanë kanë bërë zgjidhjen teknike në bazë të një projekti, ndërkohë që kanë dhënë porosi që pjesa e shembur të mos lëvizet për një periudhë 2 mujore nga data e shembjes, pasi, sipas tyre, periudha dymujore është e mjaftueshme që shkëmbinjtë të “flenë” dhe shembja të mos përsëritet. Në gjatësinë prej rreth 1 kilometër që gjendet në mesin e tunelit, ku ka ndodhur edhe shembja, ka ndryshuar edhe projekti fillestar i tunelit të Kalimashit. Në bazë të projektit të ri, në këtë pjesë nuk do të përdoren më profilet e çelikut në formë harku që janë të gatshme dhe që importoheshin nga Italia apo Kroacia, por do të përdoret hekur i profilizuar, i cili përpunohet në objekt dhe më pas vendoset në të gjitha faqet e tunelit si në tavan, faqet anësore dhe në dysheme. Në këtë pjesë tuneli do të jetë në formë vezake dhe katër faqet e tij do të jenë me hekur e beton, i cili do të jetë tërësor dhe jo në çdo një metër siç është në pjesën tjetër të tunelit.
Shtuar më 11/01/2010, ora 18:22
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori