Djali kërkon dënim me vdekje për babain: Tufa publikon letrat tronditëse nga komunizmi

Shkrimtari i njohur Afron Tufa ka publikuar dy letra të dy bijve që kanë kërkuar dënimin me vdekje të babait gjatë diktaturës së komunizmit.

Vetë Tufa, si kreu i Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit shënon se ata ishin të detyruar, megjithatë, gjuha që ata përdorin për të atin, është shumë e rëndë. Nga ana tjetër, dihet që në komunizëm, për shkak të frikës, terrorit, pushkatimeve, presioneve, kërcënimeve e torturave, letra të tilla nënshkruheshin edhe me detyrim.

“Lexojeni letrën e mëposhtme se si i detyronte ish Sigurimi i shtetit bijtë, për të dënuar me vdekje baballarët e tyre. Arsyeja është se të atit (mësues që nga koha e mbretnisë)i kanë gjetur një armë pa leje dhe disa revista e gazeta të ‘paraçlirimit’. Janë dy tekste letrash nga dy vëllezër. Të parin e jap të plotë, të dytin vetëm fundin, se ne thelb ngjajnë shumë në përmbajtje…”, shkruan Tufa.

Ai ka publikuar vetëm pjesë prej letrave, duke fshirë emrat e nënshkruesve dhe duke fshehur të dhëna që do t’i identifikonin.

Letra 1
Unë i quajturi (e shkarravitur)
Punoj në Peqin me subjektet për kërkimet gjeologjike, por dëgjova nga fshatarët e mi se baba im ka bashkëpunuar me reaksionin, ku Sigurimi i gjeti armë. Prandaj, këtij personi armik dhe jo të lejueshëm për Partinë e Punës t’i jepet dënimi më ekstrem dhe unë, si djalë i tij, i pres marrëdhëniet me të. Unë si i ri i R.P.S.SH kam që në 3 mars 1952 që jam larguar dhe nuk isha pjekur me të që të kuptonja se ç’qëndrim mbante në këtë pushtet, nga ana ime të jepet dënim më i rëndë, si dhe nga ana e pushtetit. Se elementë të tillë armiq, pushteti ynë nuk i ushqen me bukë, por me plumb që të pastroni….
Galush(?), 30/ IV/ 1953

Letra 2
me bukë e me gjellë, po u jep plumbin ballit. Se të till elementë janë penges për popullin shqiptar. Yzberisht, 1- V- 1953


Shtuar më 22/10/2019, ora 13:25

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori