Trump përplaset me BE-në dhe NATO-n në Kosovë
Pëlqej
Ushtria që po kërkon Kosova të formohet ka nxjerrë edhe një herë përplasjet ndërmjet administratës Trump me BE-në dhe NATO-n.
SHBA mbështet themelimin e ushtrisë ndërsa BE dhe NATO po e kundërshtojnë fuqishëm,shkruan albeu.com.

Sekretari gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg, sot ka telefonuar kryeministrin e Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq, për t'i njoftuar me rezultatin e takimit të djeshëm të ministrave të Jashtëm të NATO-s, ku është diskutuar edhe për nismën për krijimin e ushtrisë së Republikës së Kosovës.

Stoltenberg ka thënë se ia ka përsëritur edhe një herë kryeministrit Ramush Haradinaj se nisma për transformimin e FSK-së në ushtri është një veprim i paarsyeshëm dhe është kundër rekomandimeve të shumë aleatëve të NATO-s.

“Me Haradinajn diskutuam edhe për planin që të ecet përpara me transformimin e FSK-së në ushtri. Unë e theksova se një veprim i tillë është i paarsyeshëm dhe është kundër rekomandimeve të shumë aleatëve të NATO-s, dhe mund të ketë pasojë negative për perspektivën e Kosovës për integrim euroatlantik”, ka thënë sekretari gjeneral i NATO-së në një shkresë zyrtare të publikuar në faqen e NATO-s

Nga ana tjetër sërish zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijançiq, ka nënvizuar se mandati i FSK-së duhet të ndryshohet vetëm në përputhje me Kushtetutën e vendit.

“BE-ja vazhdon të ndajë pikëpamjet e qarta të NATO-s se mandati i FSK-së duhet të ndryshohet vetëm përmes një procesi gjithëpërfshirës në përputhje me Kushtetutën”, ka deklaruar Kocijançiq.

Por, Ambasadori i ri amerikan në Kosovë, Philip Kosnett që u emërua nga administrata Trump ka qëndrim ndryshe. Ai ka thënë sot se evoluimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura është hap pozitiv dhe është mëse e natyrshme për Kosovën si vend sovran dhe i pavarur, që të ketë aftësi vetëmbrojtëse.

Ambasadori i ri amerikan tha në një intervistë për televizionin publik se ‘liderët kosovarë kanë folur se si Forcat e Armatosura do të mund të merrnin pjesë në operacione paqeruajtëse jashtë shtetit, që Kosova e ka arritur pikën që në vend se të jetë vetëm konsumuese e sigurisë ndërkombëtare, mund edhe t'i kontribuoj asaj dhe se e tërë kjo është e mirëseardhur".

Edhe Daut Haradinaj ka shprehur bindjen se SHBA mbështet ushtrinë e Kosovës. Tashmë është marrë edhe vendimi dhe ushtria do të themelohet në 14 dhjetor./albeu.com/

Shtuar më 06/12/2018, ora 18:44
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori