Trump ndau fëmijët nga prindërit, çfarë do ndryshojë Biden kur të vijë në pushtet?
Katër vite më parë, Donald Trump e zhvilloi fushatën presidenciale me premtimin për të ndryshuar emigracionin në SHBA dhe, për pjesën më të madhe, e mbajti premtimin. Muaj pas muaji, nga fillimi i mandatit të Trump, politika e emigracionit ndryshoi me shpejtësi, nga politika e Tolerancës Zero, e cila ndau fëmijët nga prindërit, për të mbërritur te numri më i ulët i refugjatëve të pranuar nga SHBA çdo vit. Po Joe Biden çfarë ka premtuar?

Joe Biden ka premtuar të zhbëjë shumicën - nëse jo të gjitha - të reformave të emigracionit të Trump. Ai është zotuar se do të heqë urdhrin që kufizon hyrjen në SHBA të të huajve nga disa vende me shumicë myslimane dhe të rivendosë mbrojtjen nga deportimi.

Një nga ndryshimet që Biden ka premtuar të bëjë gjatë 100 ditëve të para të mandatit të tij është vendosja e DACA, një veprim ekzekutiv i epokës së Obama-s, të cilin Trump e shfuqizoi, që mbron nga deportimi (dëbimi) rreth 650,000 njerëz të vendosur në SHBA në mënyrë të paligjshme si fëmijë. Biden është shprehur se këta njerëz janë të mbrojtur, përfshirë këtu edhe ndihmën studentore.

Ndër të tjera, Joe Biden premtoi të heqë atë të ashtuquajturin “ndalimi mysliman” duke i dhënë fund ndalimit të të udhëtimeve nga 13 vende myslimane. Ai gjithashtu është shprehur se në ditën e parë të presidencës së tij do të emërojë një task forcë për të gjetur prindërit e 545 fëmijëve të cilët u ndanë nga familjet gjatë politikës Zero Tolerancë të Trump. Sipas disa raportimeve, mendohet se numri i fëmijëve është më i lartë.

Përsa i përket murit me Meksikën, Biden nuk ka thënë se do ta shembë, por është shprehur se do t’i japë fund ndërtimit të tij.

SHBA dikur konsiderohej lider botëror në mbrojtjen e refugjatëve, sipas Këshillit Amerikan të Emigracionit. Kjo përfundoi gjatë administratës Trump, e cila uli kufirin për numrin e refugjatëve të pranuar në SHBA çdo vit. Në tetor, Shtëpia e Bardhë njoftoi se po vendoste kufirin për vitin 2021 në 15,000 refugjatë, një minimum i të gjitha kohërave. Biden ka premtuar të rrisë kufirin e pranimit të refugjatëve në 125,000 njerëz.

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, do të përurohet këtë të mërkurë (20 janar) në një ceremoni që do të shënojë zyrtarisht fundin e udhëheqjes së Donald Trump. Por ceremonia e përurimit, e cila do të nisë në orën 5:30 pasdite (me orën tonë lokale) do të jetë ndryshe nga ato të mëparshmet.

Shtuar më 20/01/2021, ora 09:35

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori