Trump dhe zv/Kryeministri Liu He i Kinës takohen sot për Marrëveshjen e Tregtisë
Presidenti Trump dhe Zëvendës Kryeministri Liu He i Kinës do të takohen sot në Shtëpinë e Bardhë për të nënshkruar fazën e parë të një marrëveshjeje tregtare që ka si qëllim zbutjen e tensioneve mes Uashingtonit dhe Pekinit.

Administrata Trump ka fajësuar Kinën për vjedhjen e sekreteve të tregtisë perëndimore dhe përdori pretendime si bazë ligjore për fillimin e luftës tregtare gati dy vite më parë.

Bisedimet tregtare mes dy palëve u bënë shpejt për çështje më të gjera, por pakti i pjesshëm i tregtisë që do të nënshkruhet sot
përfshin premtime nga Kina për të ndaluar disa nga praktikat që bizneset perëndimore kanë kritikuar prej kohësh.

Në varësi të detajeve, kjo marrëveshje mund të jetë e leverdisshme për bizneset amerikane.

Megjithatë, sipas kritikëve ka ende shumë çështje të pazgjidhura që ndoshta do të trajtohen në një fazë të dytë të marrëveshjes, ndonëse ende nuk ka një datë të përcaktuar.

• Së pari, suksesi i marrëveshjes varet nga serioziteti i angazhimit të Kinës. Premtimet e Pekinit duken të gjera dhe të paqarta dhe mbivendosen me ndryshime të tjera që Kina po ndjek.

• Së dyti, Pekini nuk është zotuar ende të përmbahet nga hakimi i kompanive amerikane, veçanërisht për të kopjuar apo vjedhur pronësinë intelektuale. Zyrtarët kinezë thonë se kjo nuk përbën çështje tregtare.

• Së treti, ndryshime të mëdha në ekonominë e Kinës të tilla si subvencionet për gjigantët e saj tregtarë, mbeten ende nën negociata.

• Dhe së katërti, gjigandi i teknologjisë Huaëei mund të jetë ende një shënjestër presioni nga administrata Trump, ndoshta përmes kufizimeve më të rrepta se çfarë kjo kompani mund tu shesë
kompanive amerikane. Sekretari i Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Steven Mnuchin, i ka rezistuar përshkallëzimit të presionit mbi Huaëei.

Përtej çështjeve ende të pazgjidhura, bizneset amerikane ndihen të lehtësuar nga faza e parë e marrëveshjes. "Ne jemi të kënaqur nga ato që kemi dëgjuar," thotë Myron Brilliant, Zëvendës Drejtori Ekzekutiv i Dhomës Amerikane të Tregtisë. /Yllka Sela
Shtuar më 15/01/2020, ora 20:35

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori