Tronditet DR-ja, PDSH-ja i fton te larguarit
Albeu.com
Dy nga themeluesit e Demokracisë së Re, Ruzhdi Matoshi dhe Bekim Fazliu sot publikisht braktisën radhët e kësaj partie. Ish-deputeti Ruzhdi Matoshi dhe ish-kryetari i komunës së Sarajit, Bekim Fazliu u tërhoqën nga ky subjekt duke akuzuar ...... kryetarin e DR-së, Imer Selmani për bashkëveprim me partinë e VMRO-DPMNE-së së Nikolla Gruevskit dhe centralizim total të saj. Ata në një prononcim publik kanë akuzuar Selmanin për qëllimet e tij të errëta kundër çështjes shqiptare. Largime nga kjo parti kanë paralajmëruar edhe zyrtarë të tjerë të DR-së, duke përfshirë edhe dy apo tre deputetë.

Paraprakisht disa muaj më parë në mënyrë të heshtur u larguan edhe anëtarë të shumtë të këtij subjekti politik. DR është partia e re politike e cila u formua pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, duke u shkëputur nga Partia Demokratike Shqiptare (PDSH). Kjo e fundit akuzoi se ky subjekt politik pa strukturë dhe kryesi partiake u formua me ndihmën e Nikolla Gruevskit, ndërsa për këtë u dhanë miliona euro. Ish-kreu i FBKSH-së, Gafurr Adili duke u bazuar në informacione të shërbimeve sekrete akuzoi se Selmani kishte marrë mbi 5 milion euro nga Gruevski për të shkatërruar PDSH-në.

Një mundësi kthimi të Matoshit në PDSH, ia ofroi lideri i PDSH-së Thaci i cili njëkohësisht përshëndeti vendimin e tyre të cilin e vlerësoi të drejtë.

"Ky është një vendim i drejtë që kanë marrë dhe dyert tona janë të hapura për këta njerëz. Shumë shpejt unë si kryetar partie do kem një takim me këta dhe gjithë të tjerët. Nesër pasnesër do përfundojë ai grupim politikë por, shfrytëzoj rastin që gjith tjerët që duan të angazhohen politikisht e kanë vendin këtu dhe platforma jonë duhet të mbështetet se na duhen shumë njerëz se sa që jemi si parti", tha Menduh Thaçi, kryetar I PDSH-së.

Ruzhdi Matoshi dhe dy anëtarët tjerë të dorëhequr, u bënë anëtarë të partisë së Imer Selmanit, pasi ky i fundit një vit më parë u largua nga Partia Demokratike Shqiptare e drejtuar nga Menduh Thaci, pasi kjo e fundit nuk arriti që ti fitoj zgjedhjet e fundit parlamentare. (ina/albeu)
Shtuar më 18/08/2009, ora 01:05
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori