Historia e 15 vjeçares shkonte gojë më gojë prej 1 viti, çfarë ndodh sot në shtëpinë e saj
Shantazhimi dhe më pas përdhunimi i 15 vjeçares nga roja i shkollës dhe më pas nga tre të rinj, ka tronditur opinionin publik.

Policia arrestoi 65 vjeçarin dhe tre të rinjtë pasi kanë abuzuar seksualisht me një të mitur dhe e kanë kërcënuar me video intime.

Gazetarja Anila Hoxha rrëfen se çfarë ndodh sot poshtë shtëpisë së familjes të 15-vjeçares.

Nga Anila Hoxha

Javët e fundit prindërit e 15-vjeçares të abuzuar seksualisht e kaluan duke fshirë nëpër muret e lagjes emrin e saj. E gjithë lagjia ku emri katërgërmësh i fëmijës ka zënë muret e shtyllat, e dinte se kush shkruante dhe përse. Të gjithë e dinin, përvec policisë dhe familjes.

Shfytëzimi i gjimnazistes tregohej prej një viti si një ‘hit’ nëpër gojët e lagjes dhe të shkollës, mes banorësh e fqinjësh, ku disa e përshkruanin si “fëmija i përhedhur”. Ndërsa të tjerët e përshkruanin 65-vjeçarin si monstra që u tregonte fotografitë dhe videot e të miturës duke u mburrur “shikojeni këtë”.

Por ky informacion nuk kishte mbërritur në veshët e vulosur të policisë. Në veshët e askujt, as te agjentëve të krimeve, as të patrullave që pijnë birra në lokalin përballë shkollës dhe nuk shikonin të afishuar ngado emrin e S, apo të shikonin se si një vajzë kalohej dorë me dorë dhe si një i moshuar ndërkohë tregonte videon në serviset e makinave të lagjes, në birrari, dhe tek të tjerë aty që pastaj ktheheshin në shtëpi dhe ruanin fëmijët e tyre duke patur parasysh se një tragjedi po luhej me fëmijën e komshiut.

Edhe mësuesit e shkollës në lagjen në periferi të Tiranës nuk dinin gjë. As psikologët nuk dinin gjë, ndonëse profili i rojes ishte aq i diskutueshëm sa ai u përzu prej aty. As oficerët e sigurisë që paguhen nga Ministria e Arsimit. Roja i shkollës njihet në lagje për profilin e tij të diskutueshëm. Por ai u hoq nga puna jo për këtë gjë, por pasi ishte punësuar aty së bashku me gruan dhe djalin.

Emri i S. dhe sharjet për të ndërkohë të vrasin sytë, në hyrje të shtëpisë së saj në të dy krahët, në muret e shkollës, në muret e lagjes. Prej një viti është shkruar emri i vajzës dhe në anglisht “mirë se rdhe në ferr”. Prindërit nuk ja dolën ta mbulonin me gëlqere emrin e fëmijës së tyre që përdhunshëm u shkarravitej prej muajsh POR vetëm ata s’po dinin se përse emri i të miturës po vulosej si “A” e turpit të shoqërisë sonë.


Këtë të dielë ja kushtova S. Një banore më thotë duke tundur kokën se fëmija doli duarsh për faj të prindërve që nuk e kontrollonin. “E dinim të gjithë këtë gjë”- thotë një tjetër. “Videot e vajzës qarkullonin ngado. I moshuari doli mendsh kur prindërit e mbyllën fëmijën në shtëpi dhe ajo nuk po dilte më”.

Pasi ata denoncuan dhe katër banorë të lagjes u arrestuan, mes tyre adoleshentë dhe ish-roja, prindërit janë ngujuar brenda në shtëpi. Poshtë pallatit të tyre qëndron një grup të rinjsh, me në krye djalin e të akuzuarit si përdhunues.

Skandal. Presion fare i hapur. Ndonëse janë të afërmit e këtij 65-vjeçari që e përzunë nga familja disa muaj më parë, për të kundërshtuar sjelljen e tij. Skandal i paprecedentë mungesa totale e informacionit të shkollës, policisë a kujdto tjeër që paguhet dhe ka për detyrë të mbrojë e të ruajë fëmijët dhe nxënësit në shkolla.

Nje skandal i tillë nuk kishte nevojë të zbulohej nga kallzimi i dy prindërve që për shkaqe të ndryshme iu drejtuan policisë , atëherë kur emri i fëmijës së tyre dhe video e fëmijës së tyre po postohej ngado. Një skandal i tillë ishte zbuluar prej një viti nga banorët e lagjes në periferi të Tiranës, kur shikonin fëmijen duke u ngjitur në një shtëpi që i përkiste dikujt që jeton në Greqi , kur e shikonin t’u nënshtrohej edhe të rinjve të tjerë aty. Diçka po ndodhte, por që policia ta merrte vesh duhet së pari që qytetarët ta besojnë.

Skandal i paprecedentë që pavarësisht zërave në lagje, asnjë nga përfaqësuesit e shkollës nuk e referoi çështjen në polici. Skandal i paprecedentë që i afërmi i një abuzuesi vazhdon të qëndrojë poshtë shtëpisë së dy prindërve që tashmë janë të rrezikuar dhe kanë frikë të dalin, pasi kater të dyshuar në lagje janë arrestuar për abuzim seksual.

Skandal që disa orë pas shpërthimit të kësaj bombe, veç versionit të policisë nuk ka asnjë deklaratë nga bukuroshja e Ministrisë së Arsimit, ku i ka psikologet e shkollës, ku është stafi pedagogjik i kësaj shkolle?
Skandal që familja është braktisur dhe ka mbetur pa mbrojtje.
Ata janë të kërcënuar. I pashë sot dhe e dëshmoj këtë gjë.
Shtuar më 01/06/2020, ora 09:34

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori