Trondit Aishe Haklaj: Fatmiri u tradhëtua nga bashkëshorti im, u ble me para nga armiqtë
Sot e kësaj dite vrasja e Fatmir Haklajt dhe Sami Kërrnajës është ende e pazbardhur nga instancat ligjzbatuese. Haklajt, as e prisnin që kjo të ndodhte pasi të gjitha ngjarjet paraardhëse ndaj familjes së tyre nuk kishin një emër, pavarësisht se ishin lënë shumë prova. Nga mënyra e ezkekutimit të Fatmirit, ishte e qartë se grupi i komandove kishte mbështetje edhe nga informatorë të zonës

Kurrë më parë kundërshtarët nuk kishin guxuar ti afroheshin aq shumë Fatmirit sa mbrëmjen e ekzekutimit. Fatmir Haklaj kishte intuitë dhe zgjuarsi që të mos binte në pritë. Por kësaj here ai ishte tradhëtuar. Për herë të parë, ekskluzivisht, motra e tij Aishe Haklaj rrëfen se Fatmiri ishte tradhëtuar nga një anëtar i familjes së tij.

“Djali im në atë kohë ishte 8-vjeçar e tek luante me shokun e fëmijërisë me inicialet J.H. gjej një shumë të konsiderueshme parash brenda në banesë, në një pjesë të aneksuar dhe djali im vjen bashkë me ato paratë e mi paraqet mua e mi jep, thotë: “mama ja çfarë kam gjetur”, rrëfen Aishe Haklaj, motra e Haklajve

Aishja fillon të bëjë lidhjen mes parave dhe vrasjes së vëllait. Dikush kishte dhënë informacion për vendodhjen e Fatmirit në banesën e saj në Bujan, para se të shkonte drejt kullës së Mulosmanëve.

“Një javë të tërë i bëra hetuesi djalit që ishte vetëm 8 vjeç se dyshoja se dikush mund ta kishte gënjyer, vëllai ishte në banesën e time”, tregon Aishe Haklaj, motra e Haklajve

E tronditur nga ajo që zbuloi, dhe me mendimin se i vëllai ishte tradhtuar nga brenda familjes, Aishja vendos të largojë paratë nga vendi ku ishin fshehur. Synimi i saj ishte të zbulonte se kush i kishte vendosur atje. Zbulimi, do të ishte shokues.

“I mora ato para, i vendosa në një vend të caktuar dhe vendosa të survejoj vendin ku ishin gjetur paratë. Pas disa ditësh pashë, ish bashkëshortin, rrotull vendit ku djali kishte gjetur paratë. Mendova ta pyes çfarë kërkon, ai mu përgjigj se po kërkoj ca para. Mu duk se qielli më ra mbi kokë e mu duk vërtetë se vëllain tim e kishte tradhtuar motra e tij, ai u përgjigj se janë parat e vëzhguesve socialist”, tregon Aishe Haklaj, motra e Haklajve

Ky moment, do të ishte një tronditje e fortë për familjen Haklaj, pasi dyshimet ishin se tradhtia ishte nga brenda. Sot e kësaj dite, e vërteta ka mbetur ende mister.

“Dyshimet se ish – bashkëshorti mund të kishte bashkëpunuar me persona të caktuar dhe dhënë informacione për vendndodhjen e vëllait tim Fatmirit u bënë bindje, sepse shuma e parave të gjetura në banesën time ishte e pakonceptueshme, ishte mjaft absurde dhe kjo është një enigmë mjaft e madhe që do ta kem për gjithë jetën”, tregon Aishe Haklaj, motra e Haklajve.

Situata do të mbetej e ndezur në Tropojë. Në 3 Dhjetor të vitit 2000, familja Haklaj do të merrte një tjetër goditje të rëndë që po i çonte thuajse drejt asgjësimit total.

Ylli Haklaj, kishte dalë i shkujdesur në këtë livadh pranë rrethimit të kullës, së bashku me Bilbil Selivradën dhe Elez Kërrnajën, vëllanë e Ferizit.

“Në atë moment ka qenë duke thirrur një person nga rruga dhe është drejtuar në drejtim pritës, ata paskan qenë duke ndjekur, personat janë parë nga lagja Aliaj, ishin me rroba kamuflazhi dhe kur e panë që Ylli nuk qëndronte në të njëjtin pozicion kanë ardhur nga kodra lart më afër e qëlluan me snajper. Kanë plagosur dhe Bilbil Lanajn me një plumb tjetër në faqe”, tregon Zylfije Haklaj, motra e Haklajve

Djali i vogël i familjes dërgohet në spital me urgjencë por nuk arrin të mbijetojë.

“Ishte përpjekur që mos të bjerë ashtu, dhe dy duart i kishte te këmbët, dhe ishte përpjekur të rezistonte, dhe ka dalë vajza e tij Saranda 3 vjeçe, nëna kishte qenë në katin e dytë me vajzën e Fatmirit që ishte e vogël 13 muajshe”, tregon Zylfije Haklaj, motra e Haklajve

Rreth 200 metër distancë nga vendi ku ai u rrëzua përtokë, ndodhej edhe plaku i Haklajve, Muharremi. Ai ka parë në drejtim të këtij pylli një grup prej rreth 9 personash të veshur me kamuflazh ushtarak. Në atë moment, ka dalë me shpejtësi edhe vëllai i madh Hamdiu por pa mundur të reagojë. Autorët e vrasjes u larguan me shpejtësi.

“Ka qenë Përparim Hyka, kanë qenë edhe njerëz tjerë të organizuar nga PD-ja gjoja sikur po merrnin hakun e protestuesit nga akuza e Sali Berishës, gjoja e vrau Ylli Haklaj”, tregon Zylfije Haklaj, motra e Haklajve
Kundërshtarët thuajse po e arrnin qëllimin për asgjësimin e të gjithë familjes. Njëri pas tjetrit, 4 vëllezër, Shkëlqimi, Halili, Fatmiri dhe në fund Ylli, nuk jetonin më.

“Hamdiu kishte Yllin të vetmin vëlla që kishte, dhe kur erdha atë ditë nuk munda me u taku me Hamdiun, më tha mua të kam tani ty vëlla, ishte shumë e tmerrshme, kishin qenë 5 vëllezër dhe shumë e tmerrshme”, tregon Zylfije Haklaj, motra e Haklajve

Familja kishte humbur tashmë edhe atë që konsiderohej si njeriu më vigjilent. Ylli ishte tepër gjakftohtë dhe mjaft dyshues në gjithçka. Kjo e kishte bërë atë mjaft të aftë deri atë ditë që të shmangte pritat. Ai ishte njeriu që ishte marrë me fortifikimin e kullës. Ishte personi që me gjithë tragjeditë, përpiqej të sillte sadopak harmoni në familje. Vetëm një muaj më parë, familja kishte planifikuar të largonte Yllin jashtë vendit për ta mbrojtur, por plani nuk u realizua dot kurrë.

Ylli ishte ai që na mbante gjallë, mbante familjen, sikur s’kishte ndodhur asgjë, gjithë të afërmit, na bënte të qeshnim Ylli, kishte humor, pas vdekjes së tij çdo gjë ka ndryshuar”, tregon Zylfije Haklaj, motra e Haklajve

Autorët e vrasjes së Yllit ishin ekspozuar së tepërmi. Ata ishin parë nga fshatarë të zonës, të cilët i kërcënuan të mos flisnin. Haklajt tashmë dukeshin të pafuqishëm për të reaguar./Top Channel
Shtuar më 18/02/2020, ora 21:50

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori