Tribunali i Hages konfirmoi aktgjykimet per Tarcullovskin dhe Boshkoskin
Albeu.com
Këshilli i ankesave i Tribunalit të Hagës sot i hodhi poshtë ankesat e mbrojtjes së Johan Tarçullovskit për dënimin me burg prej 12 vjet dhe të Prokurorisë për aktvendimin për lirim për ish ministrin e Punëve të Jashtme, Lube Boshkovski për rastin e Lubetenit.
Me këto vendime të Gjykatës, të cilat janë përfundimtare, konfirmohen aktvendimet e 12 korrikut të vitit 2008, me të cilat Boshkovski u lirua nga të gjitha akuzat për krime të kryera në fshatin e Shkupit Lubeten, ndërsa Tarçullovski mori dënimin me burg prej 12 vjet.
Këshilli ankues nuk i pranoi argumentet e mbrojtjes së Tarçullovskit, sipas së cilës, ai nuk është përgjegjës për aksionin policor në Lubeten, sepse ai ishte legjitim dhe sipas së drejtës ndërkombëtare nuk mund të quhet krim lufte. Lubeteni, po sipas mbrojtjes, është rast pa dëshmi të drejtpëdrejtë për krim të kryer lufte, i cili ka karakter lokal dhe duhet të procesohet në Maqedoni.
Tarçullovski dhe Boshkovski ishin shtetasit e vetëm të Maqedonisë të cilët u procesuan në Gjykatën e Hagës për ngjarjet gjatë konfliktit në Maqedoni në vitin 2001.
Pas vendimit të sotëm të Gjykatës, Tarçullovski mbetet në burgun në Sheveningen, ku ndodhet prej 16 marsit të vitit 2005, kur me kërkesë të Tribunalit të Hagës ishte ekstraduar nga Maqedonia në Holandë.
Ai do të mbetet në Sheveningen derisa nuk përfundon procedura për transferimin e tij në vendin në të cilin do ta vazhdojë vuajtjen e dënimit me burg.
Në shpalljen e aktvendimit rreth ankesës së Tarçullovskit, morën pjesë mbi 130 miq të tij, mbështetës, kryetarë komunash, deputetë, mes të cilëve edhe 30 gazetarë nga Maqedonia, të cilët me fluturim çarter të siguruar nga Shoqata për përkrahje të Tarçullovskit, herët në mëngjes u nisën nga Shkupi për në Hagë. (mia)
Shtuar më 19/05/2010, ora 12:01
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori