Tri shpërthime trondisin Prishtinën
Albeu.com
Tri shpërthime tronditën mbrëmë Prishtinën, por pa shkaktuar viktima në njerëz. Shpërthimet ndodhën në mbrëmje vonë, rreth orës 21.20, njëri pas tjetrit, një Brenda selisë së Kombeve të Bashkuara, i dyti përballe selisë së OSBE-së dhe i treti pranë ndërtesës së qeverisë. Policia bllokoi menjëherë rrugët kryesore në qendër të qytetit, ndërkohë që prania e policisë në këtë pjesë ishte shtuar dukshëm.

Tri makina të Kombeve të Bashkuara u dëmtuan gjatë shpërthimit të parë. Nuk ka ende konfirmim zyrtar për ndonjë person të ndaluar në lidhje me këto shpërthime, nuk ka ende konfirmim zyrtar për llojin e mjetit shpërthyes që është përdorur dhe si është përdorur.

Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë dhe të bashkëpunojnë për të gjetur autorët. Policia thotë se gjendja e sigurisë është nën kontroll, megjithë tri shpërthimet që goditën tre nga institucionet më të rëndësishme të vendit.

Reagimet:

Huan Jiang, zëdhënëse e UNMIK-ut:


"Ajo që ka ndodhur është që rreth orës 21.20 në 21.30, kanë ndodhur tri shpërthime, në Prishtinë, një brenda selisë së Kombeve të Bashkuara, një përballë ndërtesës së OSBE-së, dhe një i tretë pranë ndërtesës së qeverisë. Shpërthimi i parë shkaktoi dëme në tri makina, dhe shpërthimi iI dytë shkaktoi dëme serioze në një ndërtesë. Ndërsa i treti shkaktoi dëmtime të vogla në ndërtesën e qeverisë. Aktualisht, ekspertët ligjorë po punojnë në terren, duke u përpjekur të gjejnë çfarë lloj eksplozivësh ishin, dhe nuk presin rezultatet dhe konkluzionet e këtij hetimi shumë shpejt. Sigurisht UNMIK-u dënon të gjitha llojet e dhunës dhe në veçanti këtë lloj shpërthimesh kundër selive të qeverisë, UNMIK-ut dhe përballë OSBE-së. Mendojmë se këto lloj shpërthimesh nuk do të arrijnë cfarëdo që donin të arrinin autorët. Ndërkohë që hetimet vazhdojmë, ftojmë njerëzit që të jenë të qetë dhe të punojnë me ne për të gjetur autorët".

Koloneli Dekeisabiec, zëdhënës I KFOR-it:

"KFOR-I do të vazhdojë të kryejë detyrat e veta, të sigurojë një mjedis të qetë dhe të sigurtë, me mjetet e përshtatshme. Thashë se për të kryer detyrën e tij aktuale, KFOR-i zgjedh mjetet e përshtatshme, por është detyrë aktuale dhe e rregullt".

Daut Dauti, zëdhënës i qeverisë së Kosovës:

"Qeveria e Kosovës dënon këto sulme që ndodhën sonte, të cilat shihen se janë të organizuara dhe që shkojnë në dëm të procesit politik në Kosovë".

Refki Morina, zëdhënës I Shërbimit Policor të Kosovës:

"Përvec patrullimeve të vazhdueshme të njësiteve të stacioneve policore, në gjithë rajonin, tani njësitet e posaçme janë të angazhuara edhe në vendin e ngjarjes, njësitet e kriminalistikës teknike dhe njësitet e KFOR-it, policisë ndërkombëtare dhe SHPK-së, në mënyrë që mundësisht të identifikohet kryesi i kësaj vepre. Po kështu, po konstatohet nga ekspertët e KFOR-it se për çfarë mjeti shpërthyes bëhet fjalë, për cfarë materie shpërthyese bëhet fjalë. Nuk kam konfirmim zyrtar se ka ndonjë person të ndaluar. Hetimet vazhdojnë në bazë të dyshimeve ose të bazuara ose dyshimeve të mundshme për ndonjë person që ose mund të japë informacione, ose në një mënyrë mund të orientojë axhendën e tërësishme të veprimit të njësive hetimore dhe njësive të KFOR-it, dhe të policisë. Kemi bërë thirrje që të bashkëpunohet vazhdimisht me policinë në mënyrë që të identifikohen kryesit e mundshëm të kësaj vepre dhe të veprave të tjera. Përveç këtyre shpërthimeve që ndodhën sonte në orët e vonshme të mbrëmjes, gjendja e tërësishme e sigurisë në tërë Kosovën është nën kontroll të KFOR-it, policisë ndërkombëtare, Shërbimit Policor të Kosovës, prandaj qytetarët kosovarë nuk kanë nevojë të tronditen se do të ndodhë diçka, ose dicka tjetër sepse gjithcka është nën kontroll".
nga Linda Karadaku-Ndou, VOA
Shtuar më 03/07/2005, ora 15:06
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori