Berisha: Basha dhe Rama po shesin sipërfaqe ndërtimi në portin e Durrësit, “Emaar Group” ishte një gënjeshtër

Ish-kryeministri Sali Berisha ndodhet mbrëmjen e sotme në Durrës ku po prezanton kandidatin e koalicionit “Shtëpia e Lirisë”, Ardian Muka.

Gjatë fjalës së tij, Berisha u ndal te projekti për modernizimin e portit të Durrësit, ku tha se grupi “Emaar” ka qenë një gënjeshtër dhe se aksionet i janë shitur kompanisë “Rama – Brava”.

“Në 3 mijë vite Durrësi ka njohur mënyra të mëdha, por është ringjallur gjithmonë nga porti. Në njëfarë mënyrë porti në të vërtetë ka qenë një objekt i shenjtë për këtë qytet dhe vjen një ditë e na thonë se portin e merr Emaar se do e bëjë si Dubai. Në 3 mijë vite, porti gjithnjë ka qenë i ngjitur me qytetin. Të kryesh një vepër të tillë pa i pyetur qytetarët e Durrësit që e kanë atë simbol të ekzistencës së tyre, asnjë pushtues nuk do e bënte këtë. Edhe pushtuesit e egër do thonin nuk jemi të përjetshëm dhe këtë të mos e bëjmë. Por këtë e bëjnë Lulzim Brava me Edi Ramën sepse duan të pasurohen me çdo kusht.

Në atë port kurrsakët kanë nga eshtrat e qindra brezave të tyre, lumenjtë e djersës së paraardhësve të tyre, janë pronë e tyre, nuk mund të jenë kurrë pronë e kompanisë Rama-Basha por e qytetarëve të Durrësit. Çfarë na del tani? Na del që Emaari të ishte vetëm gënjeshtër, thotë nuk jam unë. Kujt ia shiti aksionet? Pyesni këdo, emri i saj është fshehur në shpellat offshore të parave të pista dhe të mafias. Absolutisht janë Lulzim Brava dhe Edi Rama. Vendimi për portin duhet të jetë vendimi i juaj, të votoni ju për fatin e portit tuaj. Ju bëj thirrje të mos blini asnjë metër katrorë nga mafia Rama-Basha që kanë filluar të shesin sipërfaqe ndërtimi”, tha Berisha.

Ish-kreu i PD-së sulmoi dhe kandidatët e Ramës dhe Bashës, Emirjana Sakon dhe Luan Hotin.

“Këtu përballë Ardian Mukës kandidon dyshja Sako-Hoti. Më lejoni të them se Sako përfaqëson 100% Gjushin dhe asnjeri tjetër. Ju e dini vetë, unë nuk merrem me të. Por problemi është se individualiteti i saj është Gjushi, Gjushi dhe vetëm Gjushi.

Atëherë do vazhdohet 20 vite me Gjushin? Kurrë më, në asnjë mënyrë!

Po ky Hoti çfarë është? Ky është kopja durrsake e Lul Bravës. Ua them edhe miqve të mij veçanërisht atyre kosovarë, se ai njëherë thotë jam boshnjak dhe njëherë thotë jam kosovarë. Problemi është se ai është kopja e Lulzim Bravës sepse po të mos ishte i tillë do të futej në primare. Nëse ka një njeri që përfitoi nga marrëveshja Rama-Basha, ishte Hoti, me tenderat e marrë”, tha ish-kryeministri./albeu.com


Shtuar 11.02.2022 18:40