Tre ministrat e kabinetit Rama mbyllin me sukses vizitën në Bruksel (FOTO-LAJM)

Tre ministrat shqiptarë mbyllin me sukses dje takimet e planifikuara në vizitën zyrtare në Bruksel. Kjo vizitë, e fundit deri në muajin dhjetor, kur merret vendimi për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë, ishte e një rëndësie tejet të veçantë. Ministrja e Integrimit Evropian znj. Klajda Gjosha, Ministri i Brendshëm z. Sajmir Tahiri dhe Ministri i Drejtësisë z. Nasip Naço, raportuan për progresin e bërë, reformat e ndërmarra dhe masat konkrete që po zbatohen nga qeveria e re sipas rekomandimeve të lëna nga progres-raporti i 16-tetorit. Në të u rekomandua nga Komisioni Evropian, dhënia e statusit të vendit kandidat pa kushte për Shqipërinë. Takimet e njëpasnjëshme nisën rreth orës 9.30 të mëngjesit dhe u mbyllën rreth orës 18.00 të mbrëmjes.


Ka mbizotëruar një frymë mjaft pozitive dhe optimiste, ku nga përfaqësuesit e lartë të Komisionit Evropian dhe institucioneve të tjera të BE-së, janë marrë vlerësime me shumë vlerë për vendin.
Takimi i parë i tre ministrave shqiptarë znj. Gjosha, z. Tahiri dhe z. Naço, në Bruksel u zhvillua me Sekretarin e Përgjithshëm Ekzekutiv të EEAS (Shërbimi i Veprimit të Jashtëm Evropian) z. Pierre Vimont. Ministrja Gjosha, u shpreh gjatë takimit se procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian nuk ka më kthim prapa.


“Prespektiva Evropiane e Shqipërisë është shumë e rëndësishme, ajo na nxit përmbushjen e reformave të mëtejshme brenda vendit. Qeveria shqiptare është e ndërgjegjshme se progresi drejt anëtarësimit varet nga hapat që Shqipëria do ndërmarrë për të përmbushur kriteret e vendosura, të bazuara mbi principin e meritave të vendit. Jemi të vetëdijshëm gjithashtu që kemi shumë punë për të bërë”, tha Gjosha.

Tre ministrat shqiptarë informuan rreth masave të marra deri tani në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar si dhe angazhimeve të reformave në përgjithësi. Ata theksuan gjithashtu vendosmërinë e qeverisë shqiptare ndaj përmbushjes së prioriteteve, sipas rekomandimeve që ka lënë Bashkimi Evropian.

Nga ana e tij z. Vimont vlerësoi progresin e bërë dhe inkurajoi për vijimin e tij. “Ardhja e tre në Bruksel është një shenjë e mirë dhe përpjekjet tuaja na bëjnë optimistë për të ardhmen e Shqipërisë”, tha z. Vimont.

Ministrat morën pjesë gjithashtu në panelin e mbajtur për Shqipërinë, në Qendrën e Politikave Evropiane. Gjatë fjalës së tyre në këtë panel, të tre ministrat shqiptarë vunë theksin se reformat që po ndërmerren janë të domosdoshme për vendin në radhë të parë.
“”Reformat që ne po zbatojmë nuk i shohim si një dëshmi për BE-në, por mbi të gjitha ato i shërbejnë dhe janë të domosdoshme për popullin shqiptar, për të ecur përpara në rrugën e zhvillimit të vendit”, theksuan ministrat.
Ministrja e Integrimit Evropian znj. Klajda Gjosha theksoi se Shqipëria ndihet pjesë e Evropës.


Në drekë ministrat u takuan me ambasadoret e BE-se, Komisionit Europian dhe EEAS. Dreka shtrohej nga ambasadori i Greqisë në Bruksel. Ministrja e Integrimit Evropian znj. Klajda Gjosha u dorëzoi ambasadorëve planin e veprimit dhe arritjet e qeverisë deri në datë 20 tetor.



Pasdite, tre ministrat zhvilluan një takim pune me Komisioneren për Çështjet e Brendshme, znj. Cecilia Malsmtrom. Gjatë këtij takimi, raportimi u fokusua tek masat ndaj korrupsionit, krimit të organizuar dhe zbatimit të të drejtave të njeriut që janë tre prej prioriteteve kryesore të lëna nga progres-raporti.

“Raportimet tuaja sot mbi arritjet e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ishin me shumë vlerë. Këto janë shenja mjaft pozitive që na vijnë nga Shqipëria. Shqetësimi im mbetet komuniteti rom dukeqenëse ata përbëjnë pjesën më të madhe të azilkërkuesve dhe do të doja të shikoja punë më të madhe në këtë drejtim”, tha Komisionerja për Çështjet e Brendshme, znj. Cecilia Malsmtrom.

Ministrja e Integrimit Evropian znj. Klajda Gjosha, theksoi gjatë takimit se angazhimi i qeverisë është maksimal por nga ana tjetër gjithë Shqiptaria sipas saj, ka nevojë për mbështetje në mënyrë që vendi të ecë përpara drejt zhvillimit të mëtejshëm dhe procesit të integrimit evropian, për të cilin ka ende shumë punë për të bërë.


”Shqiptarët kanë nevoje të kenë besim tek Bashkimi Evropian. Kanë nevojë të shohin që kanë mbështetje. Marrja e statusit do të ishte për Shqipërinë një hap përpara tepër i rëndësishëm në procesin e integrimit. Shqiptarët e duan Bashkimin Evropian. Rreth 87% e tyre janë pro hyrjes në BE. Ndaj ne e shohim me shumë vlerë vendimin e muajit dhjetor, pikërisht si një nxitje të mëtejshme në angazhimin që kemi ndërmarrë për të përmbushur reformat”


Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri theksoi se me aksionet e ndërmarra rezultatet në luftën ndaj krimit të organizuar janë konkrete, çka dëshmon për angazhimin e qeverisë.

“Jemi duke bërë reforma në polici në nivel qendror dhe lokal për ta sjellë atë më pranë qytetarëve. Rezultatet tona të deritanishme janë konkrete dhe shifrat flasin qartë për një angazhim serioz te qeverisë për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Nuk ka vend për triumfalizëm, kemi ende shume sfida përpara.

Ministri i Drejtësisë Nasip Naço, shpjegoi se ka nisur puna për reformimin e sistemit gjyqësor, duke e cilësuar reformën në drejtësi si ndër më kryesoret për vendin.

“Kemi kërkuar asistencën e Komisionit të Vencias dhe shumë shpejt presim të nisim bashkëpunimin me ta. Fillimisht do t’ju paraqesim një panoramë të përgjithshme te sistemit tonë gjyqësor për të piketuar ato pika ku kemi më shumë nevoje për asistencë”, tha Naço.


Takimi fundit i tre ministrave ishte me Komisionerin për Zgjerimin z. Stefan Fyle, i cili edhe 10 ditë më parë në nisje së Dialogut të Nivelit të Lartë, Shqipëri-BE, shprehu vlerësimet maksimale për mënyrën si është vepruar dhe si është raportuar për prioritetet e lëna nga Komisioni. Ai nxiti qeverinë shqiptare për të vijuar në rrugën e nisur, duke theksuar se këtë progres që u dëshmua nga ministrat duan të shohin edhe vendet anëtare.

“Jam i impresionuar nga puna e bërë së fundmi. Raportimet tuaja janë shumë domethënëse. Këtë duan të shohin edhe vendet anëtare. Vazhdoni kështu deri ne fund”, u shpreh Komisioneri për Zgjerimin z. Stefan Fyle.


Ministrat shqiptarë, në të gjitha takimet intensive theksuan se marrja e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë është vetëm një hap përpara në procesin e integrimit Evropian, dhe jo finalizimi i tij. Ky hap sipas tyre, do t’í shërbejë popullit shqiptar dhe qeverisë për të përmbushur standardet e kërkuara, dhe për këtë vullneti është maksimal nga të gjitha palët. Gjithpërfshirja e aktorëve, bashkëpunimi me opozitën u theksuan gjithashtu gjatë takimeve, si element kyçë.

Tre ministrat shqiptarë, gjithashtu u zotuan se do të zbatohen afatet e përcaktuara në Planin e Veprimit ku parashtrohen masat konkrete sipas 5 prioriteteve të lëna nga Komisioni Evropian. /albeu.com/
Shtuar më 23/11/2013, ora 10:05

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori