Një vit pas tërheqjes amerikane nga Afganistani

Po bëhet rreth 1 vit nga tërheqja e trupave amerikane nga Afganistani.

Pas tërheqjes së forcave amerinake nga atje, në pushtet erdhën talebanët.

Në prag të përvjetorit të parë të tërheqjes kaotike të ushtrisë amerikane nga Afganistani, zyrtarë të administratës thonë se Shtetet e Bashkuara janë në një pozitë më të fortë strategjike duke i dhënë fund luftës.

Zyrtarët thonë se, sulmi i fundit që eliminoi udhëheqësin e al-Kaidës Ayman al-Zawahiri, tregon aftësitë që kanë Shtetet e Bashkuara për të vepruar nga distanca në luftën kundër terrorizmit. Por nga ana tjetër, ka edhe nga ata që ndjehen të zhgënjyer lidhur me atë që e shohin si mungesë përpjekjesh nga ana e administratës për të nxjerrë mësime nga tëheqja e konfliktit 20-vjeçar.

Turma afganësh në aeroportin e Kabulit, mes dëshpërimit për t’u larguar nga vendi. Pati edhe nga ata që ranë nga avionët dhe vdiqën, ndërsa një sulm vetvrasës u mori jetën 180 vetëve, përfshirë 13 ushtarëve amerikanë. Shumë pajisje ushtarake amerikane ranë në duart e talebanëve. Këto imazhe ende nuk shqiten nga mendja kur ka kaluar gati një vit nga tërheqja e ushtarit të fundit amerikan.

“Departamentet dhe agjencitë kanë filluar rishikimet e tyre të pavarura pas operacioneve në fund të misionit ushtarak amerikan në Afganistan”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre.

Mes agjencive amerikane që po shqyrtojnë tërheqjen e përgjakshme dhe kaotike janë Departamenti i Shtetit dhe Pentagoni. Por është e paqartë se kur do të dalin raportet dhe nëse ndonjë pjesë do të publikohet.

Zyrtarët thonë se do ta shënojnë përvjetorin duke nderuar “shërbimin dhe sakrificën” e atyre që dhanë jetën për të shpëtuar të tjerët dhe duke u përqendruar në atë se si Shtetet e Bashkuara tani kanë një pozitë më të fortë strategjike.

Në fillim të gushit një sulm amerikan me dron eleminoi udhëheqësin e al-Kaidës Ayman al-Zawahiri.

“Drejtësia është vënë në vend dhe ky udhëheqës terrorist është eleminuar”, tha Presidenti Biden.

Eleminimi i al-Zawahirit është dëshmi e aftësive amerikane nga distanca kundër terrorizmit, thotë për Zërin e Amerikës analisti Michael Kugelman me Qendrën Wilson.

“Eliminimi i Zawahirit e mundëson administratën të vërë në pah se trupat amerikane janë kthyer në vendin e tyre, janë larguar nga rreziku, por ama vazhdon të bëjë gjithçka të mundur për të mbrojtur amerikanët në mbarë botën nga kërcënimet terroriste”.

Por kritikët thonë se ka mungesë përpjekjesh për të nxjerrë mësime nga lufta ku humbën jetën më shumë se 2400 trupa amerikane me një kosto ditore prej 300 milionë dollarësh për 20 vjet rrjesht, gjatë administratave të ndryshme.

Zëri i Amerikës bisedoi përmes rrjetit Skype me analistin Jonathan Schroden të Qendrës për Analizat Detare.

“Ka një dështim dypartiak, çka do të thotë se nuk ka një nxitje të madhe për njërën apo tjetrën palë që të nxjerrin mësime. Kjo thumbon rëndë të dy partitë politike amerikane pasi është një luftë që kemi humbur. Ndoshta do të duhet të kalojë kohë që njerëzit e përfshirë drejtëpërdrejt në luftë të mos kenë më poste në qeveri, në mënyrë që shqyrtimi në mënyrë kritike i asaj që ndodhi të jetë më pak sensitiv”.

Ndërkohë, grupet humanitare po tërheqin vëmendjen mbi gjendjen e rëndë të popullit afgan që po përballet me varfëri dhe dëshpërim. Organizatat e refugjatëve po i kërkojnë administratës amerikane që të përshpejtojë zhvendosjen e dhjetëra mijëra aleatëve afganë të mbetur në atë vend.