Tre deputetët e akuzuar, brenda javës në gjykatë
Pëlqej
Tre deputetët e pandehur nga Prokuroria e Përgjithshme, Arben Ndoka, Pjerin Ndreu dhe Astrit Veliaj, kanë paraqitur pranë organit të hetimit kundërshtimet e tyre për akuzat e ngritura. Gazeta "Panorama" shkruan sot se gjatë ditës së enjte dhe të premten, avokatët e tre deputetëve kanë dorëzuar në prokurori kundërshtimet e tyre ndaj akuzave që u janë bërë pas hetimeve disamujore.

Avokati i deputetit Pjerin Ndreu, me anë të memove shkresore ka kundërshtuar akuzën e ngritur për goditje për shkak të detyrës ndaj deputetit demokrat Gent Strazimiri. Po kështu mësohet se edhe avokatët e deputetit Astrit Veliaj kanë hedhur poshtë akuzat për "ndërtim të paligjshëm" dhe "shkatërrim prone".

Burimet nga organi i akuzës thanë se kundërshtimet e avokatëve janë marrë në dorëzim, ndonëse nuk mund të shqyrtohen pasi afati hetimor dhe procesi i mbledhjes së provave ka përfunduar.

"Dosjet penale për personat e pandehur janë përfunduar së hetuari dhe pritet që brenda javës së ardhshme të dërgohen në Gjykatën e Lartë", kanë thënë burimet e Prokurorisë.

Jozyrtarisht mësohet se dosjet e tre deputetëve do të dërgoheshin të premten e kësaj jave në gjykatë, por kanë qenë pikërisht objeksionet e avokatëve ato që e kanë shtyrë këtë proces.

"Paraqitja e kundërshtimeve nga ana e avokatëve ka shtyrë dorëzimin e dosjeve në Gjykatën e Lartë", thanë më tej burimet e Prokurorisë.

Sipas tyre, shkresat e dorëzuara nga avokatët do t’u bashkohen fashikujve hetimorë dhe pritet të shqyrtohen gjatë procesit në Gjykatën e Lartë. Kjo e fundit është kompetente për shqyrtimin e akuzave penale ndaj deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. /albeu.com/
Shtuar më 28/09/2014, ora 10:31
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori