Po fryjnë erëra të tjera, SHBA-të po negociojnë me Iranin

Nga The Economist

Përktheu: AlbEu.com

Irani nuk mund të rivalizojë Ukrainën dhe Tajvanin për titujt kryesorë, por së shpejti situate mund të rezultojë po aq e rrezikshëme atje. Programi i  armëve bërthamore është zhvilluar aq shumë sa regjimi është vënë në kërkim edhe të një bombe.

Për shkak se negociatat e plota janë të pamundura, kërcënimi mund ta tërheqë Lindjen e Mesme në luftë, duke përfshirë edhe sulmet amerikane në objektet bërthamore iraniane. Kjo është arsyeja pse është mirë që administrata Biden po kërkon të ulë tensionet.

Që nga viti 2018, kur Presidenti Donald Trump braktisi në mënyrë të pamatur një pakt midis Iranit dhe një grupi fuqish botërore, i njohur si Plani i Përbashkët i Veprimit Gjithëpërfshirës (jcpoa), Irani është përballur me më pak kufizime në programin e tij bërthamor.

Pakti origjinal hoqi disa sanksione; dhe në këmbim, Irani ra dakord të respektojë një sërë angazhimesh deri në të paktën vitin 2030, duke përfshirë se do të kufizojë pasurimin e uraniumit në 3.67% dhe të pranojë inspektime. Qëllimi ishte të ngrihej për një vit koha e nevojshme për pasurimin e uraniumit në nivelin që shërben për bërjen e një bombe.

Zoti Trump e konsideroi atë si “marrëveshjen më të keqe ndonjëherë”, megjithatë ai vendosi gjithashtu kundër një sulmi ushtarak (planet për një të tillë mund të jenë në pjesën e dokumenteve të klasifikuara).

Irani është përgjigjur duke përshpejtuar aktivitetin e tij të pasurimit dhe duke vazhduar të veprojë si një kërcënim në mënyra të tjera. Ai ka furnizuar Rusinë me flota dronësh. Që nga shtatori, pasi një grua e re vdiq në paraburgimin e policisë morale të Iranit, regjimi ka shtypur protestat kundër tij.

Në shkurt, inspektorët ndërkombëtarë gjetën grimca të uraniumit të pasuruara në 83.7%, pak më pak se 90% që zakonisht nevojiten për një bombë, duke e bërë Izraelin të paralajmërojë se mund të sulmojë Iranin.

Marrëveshja e re që po diskutohet mes Amerikës dhe Iranit – në fakt askush nuk e quan marrëveshje – do të kërkonte të ulë tensionet fillimisht. Irani do ta kufizojë pasurimin e uraniumit në 60% dhe do të pranonte më shumë inspektime. Amerika do të lehtësojë disi sanksionet, për shembull duke lejuar Irakun dhe Korenë e Jugut të lëvrojnë 10 miliardë dollarë nga pagesat që i detyrohen Iranit. Miratimi i Kongresit nuk do të ishte i nevojshëm.

Marrëveshja do ta shpërblente Iranin për sjellje më pak të rrezikshme edhe pse synon të sigurojë bombën bërthamore.

Ky tingëllon si një rezultat i keq, derisa të merrni parasysh alternativat që mbeten.

Politika e zotit Trump për të sjellë një kolaps të regjimit përmes sanksioneve ka dështuar. PBB-ja është tkurrur me 44% që nga viti 2012, por mullahët dhe Garda Revolucionare po e ruajnë pushtetin duke derdhur gjak: 349 njerëz janë ekzekutuar këtë vit.

Eksportet e naftës, kryesisht në Kinë, janë trefishuar vitin e kaluar, në mbi 1.5 milion fuçi në ditë. Një marrëveshje e ndërmjetësuar nga Kina me Arabinë Saudite e ka lënë Iranin më pak të izoluar.

JCPOA ka vdekur: koha e shpërthimit të Iranit matet me ditë, jo me vite; Mbështetësit e marrëveshjes në Teheran kanë humbur ndikimin; dhe mundësia e rizgjedhjes së zotit Trump do të thotë që Amerika nuk mund të bëjë një angazhim afatgjatë të besueshëm.

Opsioni ushtarak nuk është më i mirë. Sulmet e udhëhequra nga Amerika nuk do të shkatërronin përpjekjet bërthamore të Iranit, vetëm do ta kthenin atë me muaj apo vite prapa. Ata gjithashtu mund të ndezin një luftë rajonale. Amerika ka prioritete të tjera: të ndihmojë Ukrainën dhe të pengojë Kinën në Azi. Gjëja e fundit që i duhet është një konflikt në Lindjen e Mesme.

Sot kushtet për një pazar të madh me Iranin nuk janë pjekur ende. Kjo mund të ndryshojë.

Kur Ayatollah Ali Khamenei, udhëheqësi suprem 84-vjeçar i Iranit të vdesë, atëhere mund të ketë një betejë në vend për pasardhësin.

Një marrëveshje midis Arabisë Saudite dhe Izraelit mund të tronditë diplomacinë e Lindjes së Mesme.

Me një sy në furnizimet e tij me naftë, Kina mund të bëjë presion ndaj Iranit që të veprojë me më shumë përgjegjësi.

Edhe nëse një marrëveshje e madhe rezulton e paarritshme përgjithmonë, intensiteti i luftës në Ukrainë mund të zbehet një ditë, duke çliruar burimet ushtarake amerikane.

Blerja e kohës duke ruajtur opsionin e përdorimit të forcës kundër Iranit është alternativa më pak e keqe. /albeu.com


Shtuar 22.06.2023 15:12