Tirana bëhet me 15 linja urbani
Në mbledhjen e fundit këshilli bashkiak, në Bashkinë e Tiranës, ka marrë vendimin për një ristrukturim të linjave urbane, nga 14 që janë aktualisht, do të ketë 15 linja urbane dhe 25 linja rrethqytetase. Disa linja janë zgjatur ndërsa në disa të tjera ka ndryshime të stacioneve.

Ndryshim të stacioneve kanë pothuajse të gjitha linjat, duke përfshirë linjat që përdoren më shumë nga qytetarët, siç janë "Unaza", "Tirana e Re" dhe “Kombinat-Kinostudio”. Në rend dite në mbledhjen e djeshme si rrallëherë kanë qenë plot 21 projektvendime. Niveli i pagave të punonjësve të administratës së bashkisë, të njësive administrative dhe ndërmarrjeve në varësi kanë qenë disa prej tyre.

Studimi JICA në qytetin e Tiranës nxori se varësia e qytetarëve ndaj sistemit të transportit publik është 36% (27% përdorin automjete private). Sipas anketimit, 75% e banorëve lëvizin në orarin 6:00-9:00, ndërsa 25% në orare të tjera.

Popullsia e Bashkisë së madhe të Tiranës, ku i janë shtuar edhe 13 njësi administrative, është vlerësuar të jetë 880.409 banorë, ndaj ndryshimi i linjave urbane është domosdoshmëri. Sipas relacionit të bashkisë, në kushtet kur popullsia e qytetit të Tiranës tregon një rritje të shpejtë, u pa e domosdoshme të bëhej një ndërhyrje e linjave, duke ofruar shërbime aty ku mungojnë. Disa linja të shkurtra janë zgjatur, për të ofruar shërbim në komunitetet e reja të krijuara, si janë zonat përtej Tufinës, Allias, Linzë. Përparësi u është dhënë edhe zonave si te Kopshti Zoologjik, ku mungon shërbimi, dhe qendrat tregtare përgjatë autostradës Tiranë- Durrës.

Linja "Porcelan" do të zgjatet deri në zonën e Linzës, stacioni i fundit do të jetë në rrugën "Muhamed Deliu" te Thesari, ndërkohë që përgjatë kësaj rruge do të ketë katër stacione të reja. Zgjatet linja ‘Ish-Kombinati i Autotraktorëve- Institut”, duke u dhënë mundësinë qytetarëve të përdorin vetëm një autobus. Linja "Laprakë" do të funksionojë në formë unazore, duke mbuluar një zonë më të gjerë deri në zonën në afërsi të urës së Institutit Bujqësor.

Linja "Tufina" do zgjerohet më shumë, deri në afërsi të Rrugës së Arbrit. Linja ‘Ish-Stacioni i Trenit- Qendër-Senatorium-TEG” zgjatet në të dyja drejtimet. Disa linja do kenë vetëm ndryshime në stacione, si "Unaza", "Tirana e Re", e cila do shkojë deri te mbikalimi. Po ashtu, edhe "Kombinat-Kinostudio" ka ndryshime në stacione, ku stacioni i fundit do jetë te rruga “Ura” dhe jo më te ISHP-ja. Në linjat mes fshatrave lejohet përdorimi i mjeteve (8+1). Në vendimin e djeshëm i cili u miratua në këshill bashkiak, janë në total 15 linja qytetase dhe 25 linja rrethqytetëse. Sipas bashkisë, ky ndryshim i linjave synon rritjen e cilësisë. /albeu.com/
Shtuar më 24/05/2016, ora 08:27

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori