Trajkovic fton serbet te dalin ne zgjedhje
Albeu.com
Nënkryetarja e Këshillit Nacional Serb, Rada Trajkovic, ka ftuar serbët që të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit. Sipas saj, kështu mund të kthehen komunat që u humbën si pasojë e bojkotit.
Nënkryetarja e Këshillit Nacional Serb, Rada Trajkovic, në një intervistë për gazetën e Beogradit “Blic”, ka ftuar serbët e Kosovës që të dalin në zgjedhjet e sivjetshme lokale, që mbahen më 15 nëntor.

“Me daljen në zgjedhje, nëse ndodh decentralizimi, ne mund t’i kthejmë komunat që i kemi humbur”, ka thënë ajo.

Pas përfundimit të luftës, serbët kishin marrë pjesë në zgjedhjet kosovare, duke fituar udhëheqjen në një sërë komunash. Por, më pas, të ndikuar nga Beogradi, ata kishin bojkotuar çdo proces elektoral që organizohej nga Prishtina.

Rada Trajkovic mendon se kjo praktikë duhet të ndërprehet.

“Mund ta fitojmë pushtetin në Graçanicë, që bashkë me 16 fshatra serbe përfaqëson një tërësi territoriale, e që ndodhet vetëm 3-4 kilometra larg Prishtinës”, ka thënë Nënkryetarja e Këshillit Nacional Serb.

Sipas saj, është realitet i hidhur për serbët që këto zgjedhje i ka shpallur Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, porse dalja në zgjedhje është rruga më e mirë për ta.

Rada Trajkovic është ndër të paktët liderë serbë në Kosovë e Serbi, që fton bashkëkombësit e saj të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit. Shumë prej liderëve të serbëve të Kosovës i kanë bërë thirrje komunitetit që përfaqësojnë që t’i bojkotojnë këtë zgjedhje, ngjashëm siç kanë vepruar edhe politikanët e Beogradit. (express/albeu)
Shtuar më 31/08/2009, ora 15:58
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori