BBC: Pse po humbet kaq shumë tanke Rusia, në luftën e saj në Ukrainë?

Në më pak se dy muaj luftë në Ukrainë, mendohet se Rusia ka humbur qindra tanke. Ekspertët ushtarakë ua atribuojnë humbjet armëve të avancuara me të cilat vendet perëndimore kanë furnizuar Ukrainën dhe mënyrës së dobët të përdorimit të tankeve nga Rusia.

Sa të mëdha janë humbjet e tankeve?

Forcat e armatosura të Ukrainës thonë se Rusia ka humbur më tepër se 680 tanke.

Ndërkohë, Oryx – një blog ushtarak dhe inteligjence që llogarit humbjet ushtarake të Rusisë në Ukrainë bazuar në fotografitë nga zonat e luftës – thotë se Rusia ka humbur më tepër se 460 tanke dhe mbi 2000 mjete të tjera të blinduara.

Sipas Rand Corporation dhe IISS (Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike) Rusia kishte rreth 2700 tanke beteje në total në fillim të konfliktit.

Sa efektive kanë qenë armët anti-tank?

SHBA pajisi Ukrainën me 2000 raketa anti-tank Javelin në fillim të konfliktit dhe që atëherë ka dërguar edhe të paktën 2000 të tjera.

Raketat Javelin shpërthejnë mbi tank, ku armatura është më e dobët, sipas prodhuesit të tyre, Lockheed Martin.

Shumë tanke ruse janë të pajisura me armaturë reaktive, e cila absorbon impaktin e raketave. Megjithatëë, Javelinët janë të pajisura me dy mbushje eksplozive. Njëra shpërthen armaturën reaktive dhe e dyta shpon shasinë poshtë saj.

Britania e Madhe ka dërguar të paktën 3600 raketa të lehta anti-tank Next Generation (NLAW).

Edhe ato janë dizenjuar të shpërthejnë teksa kalojnë mbi kullën e tankeve.

“Javelin dhe NLAW janë shumë të fuqishme”, thotë Nick Reynolds, analist kërkimesh luftarake tokësore në Royal United Services Institute (RUSI). “Pa këtë ndihmë letale, situata në Ukrainë do të ishte shumë ndryshe”.

SHBA po e furnizon Ukrainën me 100 dronë anti-tank Switchblade.

Të njohur si dronët kamikaze, ata qëndrojnë pezull mbi tank, shumë kilometra larg operatorit, dhe bien mbi tank duke e shkatërruar me mbushjen eksplozive që kanë në majë.

Sa shumë duhet fajësuar taktika ruse?

Në ditët e sotme, ushtria ruse operon përmes Grup Batalioneve Taktike (BTG), të cilët janë njësi luftarake të kompletuara, të përbëra nga tanke, këmbësori dhe artileri.

Përbërja e saktë e këtyre njësive mund të ndryshojë, por përgjithësisht ato kanë një numër të madh mjetesh të blinduara, por relativisht pak trupa këmbësorie.

“Rusia ka relativisht pak trupa për të thirrur”, thotë Phillips O’Brien, profesor i studimeve strategjike në St Andrews University, “kështu që BTG-të janë një mënyrë krijimi njësish luftarake me goditje të fortë”.

“Ato janë të projektuara të sulmojnë shpejt me fuqi të madhe zjarri. Megjithatë, kanë shumë pak mbrojtje për sa i përket personelit të këmbësorisë që i shoqëron dhe që reagon nëse autokolonat e blinduara janë nën sulm. Kjo e bën ushtrinë ruse të duket si një boksier që ka grusht të fortë dhe nofull prej xhami”.

Profesor O’Brien thotë se mungesa e patrullave ajrore ruse bën që trupat ukrainase të pozicionohen me lehtësi për t’u ngritur prita kolonave të tankeve.

“Rusia nuk fitoi supremaci ajrore në fillim të konfliktit”, thotë. “Për pasojë, nuk munden të patrullojnë qiejt për të vënë re lëvizjet e ushtrisë ukrainase”.

“Kjo bën që trupat ukrainase të jenë në gjendje të zënë pozicione të mira luftimi për prita, dhe në këtë mënyrë kanë shkaktuar shumë dëme”.

Sa shumë është për faj të paaftësisë ruse?

Sipas shifrave të Oryx, gjysma e tankeve që Rusia ka humbur nuk janë shkatërruar apo dëmtuar nga armiku, por janë kapur ose braktisur.

Ekspertët thonë se kjo është për shkak të dështimeve logjistike dhe paaftësisë së trupave ruse.

“Keni parë foto të tankeve ruse të tërhequra me traktorë nga bujq ukrainas”, thotë O’Brien.

“Disa nga ato tanke janë braktisur sepse iu mbaroi karburanti. Ky është dështim logjistik. Disa ngecën në baltën e pranverës, për shkak se komanda e lartë urdhëroi sulmin në periudhën e gabuar të vitit”.

“Forcat tokësore të Rusisë përbëhen nga shumë të thirrur për shërbimin e detyruar dhe rekrutë të rinj. Kjo i bën forca luftarake të cilësisë së ulët apo mesatare”, thotë Nick Reynolds i RUSI-t.

“Shumë tanke janë braktisur për shkak të manovrimit të keq. Disa kanë rënë nga urat. Të tjerë janë rrëzuar në kanale dhe iu kanë dalë zinxhirët. Aftësia e trupave në përdorimin e pajisjeve të tyre ka lënë për të dëshiruar. Por shpesh ushtarët thjesht i kanë braktisur mjetet dhe ia kanë mbathur. Kjo tregon që iu mungon edhe vullneti për të luftuar”.

Qeveria ukrainase madje ka nxjerr instruksione se qytetarët duhet t’i dorëzojnë mjetet e braktisura ushtarake.

Autoritetet konfirmuan edhe se kushdo që gjen “trofe luftarake” të tilla nuk është i detyruar t’i deklarojë për arsye taksash.