Po sikur Kremlini i Putinit të tregohet po aq i qëndrueshëm sa regjimi i mullahëve në Iran?

Nga Edward Lucas “Center for European Policy Analysis

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Ofensiva pranverore e Rusisë ka ngecur. Së shpejti po i vjen koha kundërsulmit të Ukrainës. Dështimet ushtarake vetëm sa do t’i shtojnë vështirësitë politike të Kremlinit. Herët a vonë, palët e interesuara në sistemin rus do ta braktisin Vladimir Putinin.

Ata do ta fajësojnë atë për luftën dhe për kushtet e dhimbshme në të cilat do të përfundojë ajo, dhe do t’i rikthehen aktiviteteve të tyre kryesore të mashtrimit dhe vjedhjeve. Ky mbetet rezultati më i mundshëm i luftës në Ukrainë, me pyetjen e madhe që është: A duhet të durojnë për javë, muaj apo një vit përpara se të ndalet makineria ruse e luftës?

Por ne duhet të marrim parasysh edhe rezultate të tjera. Kohët e fundit kam kaluar kohë me një grup zyrtarësh të lartë që po parashikojnë skenarët e ardhshëm mbi marrëdhëniet e Perëndimit me Rusinë. Ne diskutuam opsionet e zakonshme: luftë civile, një juntë, një lideri i ri autokrat apo një liberal i rremë.

Madje shpenzuam disa minuta edhe mbi perspektivën gati të pamundur të demokracisë në Rusi. Por tema që tërhoqi më shumë vëmendjen time, ishte ajo që ata e quajtën “Iranizim” të Rusisë. Me pak fjalë, ideja që regjimi në Moskë mund të rezultojë të jetë po aq elastik dhe i qëndrueshëm sa homologu i tij në Teheran.

Mafia teokratike atje ka qenë në pushtet që nga revolucioni i vitit 1979. Pavarësisht barbarisë së regjimit (mjetet e tij represive përfshijnë përdhunime sistematike, rrahjet, rrëmbimet dhe vrasjet), Irani nuk është bërë një vend i prapambetur apo i izoluar.

Përkundrazi, ka një shtresë të mesme të sofistikuar, rebele me ndërprerje, një makineri qeveritare shumë efektive dhe një bazë teknologjike të aftë të prodhuar armë bërthamore dhe raketa balistike. Terrorizmi shtetëror i Iranit ka një shtrirje globale.

Një televizion opozitar sapo është detyruar të largohet nga zyrat e tij në Londër, sepse autoritetet britanike nuk mund të garantojnë sigurinë e stafit të tij. Irani sapo ka rivendosur lidhjet diplomatike me armikun e saj të përhershëm Arabinë Saudite në një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Kina.

Madje ai mund të ketë organizuar edhe një shkëmbim të burgosurish me Shtetet e Bashkuara. Po ashtu ka zhvilluar një bashkëpunim të gjerë ushtarak me Rusinë, dhe ndoshta ka vjedhur sekretet e armëve amerikane të kapura nga rusët në Ukrainë.

Perëndimi i është kundërpërgjigjur kërcënimit me një përzierje sanksionesh ndëshkuese (Irani ishte vendi më i sanksionuar në botë, deri kur Rusia zuri vendin e parë vitin e kaluar) dhe oferta për një lloj rrugëdalje diplomatike. Pavarësisht parashikimeve të sigurta gjatë shumë viteve, këto masa nuk kanë funksionuar.

Kufizimet e tregtisë, investimeve dhe lidhjeve financiare, e kanë bërë jetën jashtëzakonisht të vështirë për iranianët pro-perëndimorë, por nuk kanë arritur t’i japin një goditje vendimtare ekonomisë së regjimit. Në fakt, eksportet e naftës së Iranit janë në rritje.

Ai po i shet anije vendeve afrikane dhe Venezuelës, si dhe kujtdo armë të llojeve të ndryshme. Marrëveshja bërthamore vetëm sa e ngadalësoi përparimin e regjimit drejt një arsenali armësh bërthamore. Një nga arsyet mbi qëndrueshmërinë e Iranit është kontrolli i vazhdueshëm ideologjik i regjimit mbi të paktën një pjesë të popullsisë.

Ajo bën bashkë devotshmërinë islame me krenarinë kombëtare. Një tjetër arsye është shkrirja e fuqisë ekonomike dhe politike, veçanërisht përmes Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike, që është nominalisht pjesë e forcave të armatosura, por në realitet, një entitet i fuqishëm biznesi dhe politik, me aftësi të pavarura inteligjente, financiare dhe ushtarake.

Ky lloj konfigurimi nuk është identik me Rusinë. Por ngjashmëritë janë të habitshme. Deri më tani Rusia i ka shmangur sanksionet perëndimore. Ideologjia e regjimit bashkon një formë obskurantiste të krishterimit ortodoks me krenarinë kombëtare.

Reagimet ushtarake duket se kanë pak efekt në sundimin e regjimit. Emigracioni është një valvul sigurie, ndërsa represioni një mjet i zakonshëm sigurie. Korrupsioni dhe hipokrizia e lubrifikojnë sistemin në vend se ta gërryejnë atë.

Frika dhe lakmia e të huajve e mundësojnë atë. Është e lehtë të shihet se si mund të zhvillohet “tiranizimi” i Rusisë: mjafton të vazhdohet me trajektoren aktuale. Është shumë më e vështirë të shihet se si do ta kundërshtonte Perëndimi këtë lloj Rusie. /albeu.com


Shtuar 15.03.2023 17:18