Këto janë dy SMS-të e fundit të Martinajt, Hoxha: 50 milion euro për ta liruar

Gazetari Artan Hoxha zbuloi detaje të reja në lidhje me zhdukjen e Ervis Martinajt. Gazetari zbuloi intinerarin e Martinajt që nga data 1 gusht deri më datë 9 gusht pasdite, ku sipas tij edhe është zhdukur.

Hoxha tha se Martinaj ka ikur më datë 1 gusht nga Vora për në Vlorë duke takuar atje një personazh të njohur të krimit, të cilit i kanë bërë katër herë atentat dhe nuk e kanë vrarë dot. Hoxha tha se Martinaj shkoi në Vlorë për të kërkuar aleanca të reja, nisur edhe nga fakti se edhe grupi i personave që kërkojnë ta ekzekutojnë janë po nga ajo zonë.

Sipas gazetarit të ABC, Martinaj ka ndejtuar në Vlorë deri më datë 5 gusht dhe në atë datë është kthyer për në Vorë po me këtë person.

Më pas, Martinaj ka ardhur më datë 6 gusht sipas gazetarit Artan Hoxha në një qendër tregtare në Tiranë ku ka takuar një person. Më pas Martinaj ka shkuar në një kafe përballë një qendre tregtare në autostradën Tiranë-Durrës.

Sipas Hoxhës, Martinaj është kthyer më datë 7 në Tiranë duke ndjekur të njëjtin itinerar.

“Thonë që ai fshihej në një kullë, në fakt ai hidhte valle nëpër Tiranë sepse kishte informacion dhe përfitonte se askush nuk e njihte. Madje, edhe policët nuk raportonin”, tha Hoxha.

“Gazetari tregon se Martinaj ka dërguar dy SMS më datë 9 gusht, ku SMS i parë lidhet me ushqimin e këlyshit të tigrit që ai ka në shtëpi. Pastaj u dërgua edhe një SMS tjetër ku pyeste për familjarët. Pastaj nuk ka më gjurmë të tij”, tha Hoxha.

Hoxha tha se ka qarkulluar një video e një personi me pamje të mjegulluar ku ofronte 50 milion euro që ta linin të lirë.

“U tregua si trofe i kundërshtarëve ndaj Ervis Martinajt. Duhet verifikuar zëri aty se i kujt është”, tha Hoxha.

Sipas tij ka ndodhur një tërmet në botën e krimit dhe gjithçka që nisi në vitin 2018 duket se është finalizuar gjatë kësaj vere dhe gjatë dhjetë viteve të ardhshme do të kemi një panoramë tjetër të krimit të organizuar në vendin tonë.

“Unë e kam thënë edhe më herët. Po ndodh një reformë në krimin e organizuar. Tani është duke ndodhur kalimi nga një etapë e mëparshme e krimit në një etapë tjetër. Tani, gjatë kësaj vere po finalizohet ajo që nisi në vitin 2018. Kaq e redësishme është ajo që ka ndodhur këtë verë e bën të zymtë situatën në Shqipëri. Gjatë dhjetë viteve të ardhshme do të kemi një panoramë tjetër të krimit të organizuar në Shqipëri”, tha Hoxha.

“Po ndodh një tërmet në botën e krimit të organizuar. Kjo verë ishte një vijë demarkacioni mes periudhës së mëparshme dhe periudhës së ardhshme”, tha Hoxha. Ngjarja më e bujshme e kësaj vere është zhdukja e Ervis Martinajt.