Trafikuan drogë nga Shqipëria dhe Turqia drejt Italisë, si u shpërbë organizata kriminale me shqiptarë
Ata trafikuan drogë në nivel ndërkombëtar duke pasur bazën operacionale në Napoli dhe në Romë dhe disa degëzime edhe në Shqipëri.

Dhjetë aksione u kryen nga Komanda Provinciale e Guardia di Finanza në Napoli kundër shumë anëtarëve të një organizate që merrej me trafikun e drogës, e përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë.

Hetimet kanë nisur në vitin 2016, ku në muajin prill të atij viti u ekzekutuan 30 urdhër-arreste me paraburgim. Gjatë hetimit, hetuesit italianë arritën të identifikonin një grup kriminal me shtrirje ndërkombëtare të trafikut të kokainës, e cila fillonte në Amerikën e Jugut dhe përfundonte në Napoli. Kreu i organizatës ishte italiani Bernardo Tamarisco, i dënuar me 20 vjet burg, dënim i konfirmuar edhe në apel.

Hetimet e mëvonshme, siç shkruajnë mediat lokale italiane, bënë të mundur identifikimin e një organizate kriminale e përbërë nga shtetas shqiptarë dhe napoletanë, veçanërisht aktiv në importimin e sasive të konsiderueshme të drogës nga Shqipëria dhe Turqia, kryesisht heroinë dhe marijuanë.

Shqiptarët luanin kryesisht rolin e furnizuesve, siç është Faslli Qibini, i njohur edhe si “Vasco” që jeton në Napoli. Ai ndihmohej në këtë aktivitet nga djali i tij Jonjad Qibini, i njohur edhe si Giovanni. Hetimet zbuluan se Qibini u furnizua nga një tjetër shqiptar, i quajtur Denis Martaneshi, që jetonte në Romë, në kontakt të ngushtë me furnizuesit e drogës që vepronin në territorin shqiptar nëpërmjet vëllait të tij Florian Martaneshi si dhe Gerti Bogo dhe një person tjetër i quajtur Halit.

Gjatë përgjimeve të telefonave të përdorur nga të dyshuarit si dhe vëzhgimet në terren, u bë e mundur që më 25 prill 2016, të sekuestroheshin 4.5 kg heroinë, ndërsa u arrestua edhe korrieri Leonard Papa, ndërsa më 30 janar 2017, u sekuestruan rreth 65 kg marijuanë, ndërsa u arrestuan korrierët Denis Martaneshi dhe Bledar Vogli, po shqiptarë. Aktualisht, tre nga të dyshuarit janë ende në arrati.
Shtuar më 21/06/2019, ora 18:13
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori