Trafiku i rënduar në Tiranë, cilat rrugë duhen ndjekur që ta shmangim
Për shkak se në shumë nga rrugët kryesore të Tiranës vazhdojnë të kryhen punime, lëvizja në kryeqytet me makinë është bërë gjithnjë e më e vështirë.

Prej muajsh, lëvizja me makinë në Tiranë është kthyer në një stres për shoferët, pasi rehabilitimi njëkohësisht i disa rrugëve kryesore të kryeqytetit, ka shkaktuar devijim të lëvizjes, ngushtim të akseve nga mjetet e rënda apo nga kantieret të cilat gjenden në rrugë.

Erion Ahmetaj, shef i komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë tregoi në “Wake Up” akset me trafik më të rënduar në kryeqytet dhe mënyrat se si të shmangi trafikun.

“Duhet të llogarisim që pjesa e shkollave, e mësimit është bërë me turne dhe nuk kemi ngarkesë vetëm në 8-30 deri në 9 që mbarojnë institucionet dhe shkollat, por kemi edhe orën 11 e 30 të paradites, kemi dhe orën 13 e 30 dhe orën 16 e 30 që është përfundimi i orarit zyrtar dhe gjithë qytetarët kthehen në shtëpi. Por, në bazë të menaxhimit të trafikut që kemi bërë, është e rëndësishme që nuk ka bllokim.

Duke ditur edhe orët e pikut, gjithë drejtuesit e mjeteve të Tiranës e llogarisin gjithë pjesën e trafikut dhe lëvizin në plot segmente të tjera që ka lirshmëri trafiku. Nuk është e thënë që shoferët të drejtohen drejt rrugës “Mine Peza’ për të krijuar trafik.

Por ka disa rrugë alternative që mund të përdorin, si ‘Rruga e Barrikadave, ‘Bulevardi Zhan Dark’ dhe pjesa e ‘5 Majit’ zbritja te Treni te 313 dhe më pas në ‘Don Bosko’ dhe dalja në Laprakë. Ka një sërë segmentesh që ne i kemi inspektuar dhe kemi bërë planin e menaxhimit të trafikut”, sqaroi Ahmetaj.

Shtuar më 03/12/2020, ora 11:52

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori