Trafiku i organeve nga UCK, Shqiperia refuzon serbet
Albeu.com
Prokurori serb për krimet e luftës, Vladimir Vukçeviç, nuk do të lejohet të investigojë ekzistencën e një klinike në Gurrë të rrethit të Matit, ku sipas Del Pontes, “anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës grumbullonin ushtarë serbë dhe u hiqnin organet për transplant”.nga Tedi Blushi

Vukçeviç: Ka dyshime të forta se në Gurrë janë varret e ushtarëve serbë.
Prokuroria shqiptare: Nuk është e vërtetë e hetoi Gjykata e Hagës.
Karla Del Ponte

Prokuroria e Përgjithshme refuzon kërkesën e Serbisë për të hetuar pretendimet e ngritura në librin “Gjuetia” të ish-kryeprokurores së Hagës, Karla del Ponte. Burime zyrtare pranë organit të akuzës pohuan dje për GSH se prokurori serb për krimet e luftës, Vladimir Vukçeviç, i cili ka mbërritur në Tiranë, nuk do të lejohet të investigojë për ekzistencën e një klinike në Gurrë të rrethit të Matit, ku sipas Del Pontes, “anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës grumbullonin ushtarë serbë dhe u hiqnin organet për transplant”. Refuzimi i kërkesës lihet të nënkuptohet edhe në njoftimin e djeshëm për shtyp të Prokurorisë së Përgjithshme, fill pasi Ina Rama përfundoi takimin në zyrën e saj me Vukçeviç, zv/prokurorin që e shoqëronte dhe zëdhënësin e tij, Bruno Vekariç. “Prokuroria e Përgjithshme bëri prezente gjatë takimit rezultatet e një procesi inspektimi dhe verifikimi të përbashkët (të kryera që në vitin 2005) që kanë zhvilluar hetues të ardhur nga Haga dhe prokurorë të rrethit të Matit, në disa ambiente në zonën e Burrelit. Ku në përfundim të këtij procesi, hetuesit e Hagës së bashku me prokurorët e Matit arritën në konkluzionin se të dhënat që posedonin hetuesit e Hagës për atë që pretendohej se kishte ndodhur në Burrel, nuk rezultuan të vërteta”, - citojmë nga deklarata e djeshme për shtyp e organit të akuzës.

Reagimi
Ndërkaq, zëdhënësi i prokurorit serb për krimet e luftës, Bruno Vekariç në një prononcim për agjencinë serbe të lajmeve “Beta News” i cilësoi të kënaqshme frytet e këtij takimi, edhe pse shtoi se “palët ndajnë qëndrime diametralisht të kundërta sa i përket çështjes”. Sipas tij, “ka dyshime të forta se në fshatin Gurrë gjenden varret e ushtarëve serbë, të cilëve u janë hequr organet dhe se Shqipëria kërkon ta fshehë këtë fakt”. Në prononcimin e tij, Vekariç theksoi mandej se zyra e Prokurorisë serbe për krimet e luftës “ka një detyrim për zbardhjen e së vërtetës karshi viktimave dhe familjarëve të ushtarëve të vrarë dhe se për këtë qëllim po vendos një komunikim direkt me prokurorinë shqiptare për të marrë autoritetin e nevojshëm ligjor”, - shprehet ai. Brenda të njëjtit kontekst, Vekariç thekson se pikësëpari synohet që grupi i hetuesve serbë të hetojë pikërisht në kullën e fshatit Gurrë, që dyshohet të ketë shërbyer si klinikë për transplantin e organeve të ushtarëve serbë. Ish-kryeprokurorja e Hagës, Karla del Ponte, në librin e saj “Gjuetia” flet për ekzistencën e një klinike të improvizuar në Gurrë të Matit, ku ajo pretendon se grumbulloheshin ushtarë serbë dhe u hiqeshin organet për transplant. Ajo që solli më shumë habi, është se si ka mundësi që një ish-kryeprokurore e Hagës të hedhë akuza të tilla absurde dhe qesharake, kur ekipet e investiguesve të nisur po prej saj në Gurrë nuk kanë konstatuar asgjë. Pas këtij libri, Del Ponte do mbahet mend si një shkrimtare e denjë për trillime dhe skenare të filmave horror. Ndërkohë, deputeti socialist i zonës së Gurrës në rrethin e Matit, Qemal Minxhozi duke i cilësuar “absurde”, “trillime të pastra” e “fakte të paqena” pretendimet e ish-kryeprokurores së Hagës, ka bërë të ditur se “për shkak të këtyre shpifjeve vendosëm ta padisim penalisht Del Ponten në Gjykatën e Strasburgut, për të vënë në vend dinjitetin e banorëve të zonës ku ata jetojnë dhe mbi të gjitha për të vënë në vend dinjitetin e Shqipërisë e kombit shqiptar”. (G. Shqiptare)
Shtuar më 28/10/2008, ora 15:08
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori