Trafiku i heroinës, rrjet në 5 shtete
Albeu.com
Bllokimi i 120 kg heroinë në tre shtete zbuloi organizatorët e trafikut, të arrestuar dy netë më parë. Prokuroria e Krimeve të Rënda zbuloi se Skënderi e Dervishi kishin bashkëpunëtorë në Bullgari, Itali, Spanjë e Gjermani.Organizatës së trafikut të drogës që drejtohej nga Gjergj Dervishi dhe Fatjon Skënderi i janë kapur nga policia 120 kilogram drogë brenda dy muajve. Në tre raste të ndryshme, atyre u janë kapur sasi droge që varionin nga 50 deri në 30 kilogramë heroinë e pastër.Duke u bazuar në këto sasi droge kanë nisur edhe hetimet e prokurorive të pesë vendeve të ndryshme, përfshi edhe Prokurorinë për Krimet e Rënda. Një hetim i gjerë që ka zgjatur për muaj me radhë ka bërë që në pesë shtete të grumbullohen prova të pakundërshtueshme për fajësinë e dy të arrestuarve. Ndërkohë, në prangat e policive të Bullgarisë, Italisë dhe një shteti tjetër kanë rënë korrierët e heroinës. Lajmi është pohuar dje nga burimet zyrtare të Prokurorisë për Krimet e Rënda dhe Policisë së Shtetit. Sipas tyre, në kërkim janë shpallur edhe disa persona të tjerë, të cilët nuk ndodhen në Shqipëri.
Droga
Organizatës kriminale që drejtohej nga Gjergj Dervishi dhe Fatjon Skënderi i janë bërë disa goditje të forta nga ana e policive të tre vendeve të ndryshme europiane. Brenda një periudhe dymujore, policitë e vendeve të ndryshme kanë mundur që të bllokojnë tre ngarkesa me heroinë të pastër që vinte nga Turqia. Ngarkesa e parë është kapur nga policia bullgare. Një sasi prej 50 kilogramësh heroinë është kapur nga policia bullgare në një kamion TIR. Ndërkohë, vetëm pak ditë më pas, policia italiane ka mundur që të bllokojë në portin e Barit një kamion tjetër me një sasi prej 40 kilogramësh heroinë, që kishte hyrë nga Shqipëria. Pa kaluar as dy muaj nga kapja e sasisë së parë të drogës është kapur në një shtet perëndimor një kamion TIR me 30 kilogramë heroinë. Në të treja rastet, në prangat e policisë kanë rënë korrierët e drogës. Gjatë hetimeve është vënë re se në të tre rastet, për transportin e heroinës, janë përdorur kamionë TIR të ngjashëm me njëri- tjetrin. Duke u bazuar në këtë detaj prokuroritë e tre vendeve të ndryshme kanë shkëmbyer informacione me njëri- tjetrin. Nga hetimet e mëtejshme ka dalë në skenë që të tre rastet ishin të lidhura me njëri- tjetrin si dhe që trafiku organizohej nga disa shtetas shqiptarë.
Linjat
Nga hetimet e para të kryera nga prokuroritë e vendeve të tjera ka rezultuar se droga që trafikonte organizata e shqiptarëve hynte në Europë nga Turqia. Më pas ajo kalonte nëpërmjet Bullgarisë e Maqedonisë deri sa vinte në Shqipëri. Për të realizuar këtë linjë përdorej kompania “Global”, në pronësi të Gjergj Dervishit. Ndërsa makinat modifikoheshin me një dysheme të dyfishtë në autoservisin me emrin “Truck Servis” të Fatjon Skënderit. Menjëherë prokuroritë e huaja kanë kontaktuar me homologët shqiptarë të Krimeve të Rënda. Disa muaj më parë, në Tiranë kanë ardhur letër- porositë nga tre vendet e para për trafikun e drogës. Prokuroria jonë filloi hetimet duke kryer përgjime dhe vëzhgime të dy të dyshuarve si krerë të trafikut të drogës. Për muaj me radhë, agjentët e zyrës së luftës Kundër Krimit të Organizuar në Ministrinë e Brendshme si dhe hetuesit e Prokurorisë për Krimet e Rënda, kanë mbajtur në vëzhgim konstant të dyshuarit. Burimet zyrtare pohuan dje se janë dashur disa muaj që të grumbullohen provat e sakta për dy të akuzuarit. Pas kësaj është bërë edhe kërkesa në gjykatë për arrestimin e tyre. Gjatë kësaj kohe, në prokurorinë shqiptare kanë mbërritur letër- porosi edhe nga ana e prokurorive gjermane e spanjolle. Përveç Italisë e Bullgarisë, organizata kishte fije edhe në Spanjë e Gjermani. Më konkretisht, nga hetimet e kryera ka rezultuar se organizata në fjalë kishte lidhje në Lubeck të Gjermanisë, Palermo e Bari në Itali, Barcelonë në Spanjë si dhe në Bullgari. Burimet zyrtare pohuan dje se në dosjen hetimore të dy të arrestuarve ndodhen materiale të grumbulluara nga prokuroritë e katër shteteve, përveç asaj të Krimeve të Rënda. Përveç përgjimeve, në dosje ndodhen edhe dëshmitë e korrierëve të drogës që janë kapur në vendet e tjera.

50

Kaq është sasia e parë e drogës që i është kapur organizatës që drejtohej nga shtetasit shqiptarë Gjergj Dervishi dhe Fatjon Skënderi. Kjo sasi droge është kapur muaj më parë nga policia bullgare dhe vinte nga Turqia

40

Vetëm pak ditë më pas të njëjtës organizatë i është kapur edhe një tjetër sasi droge. Këtë herë ka qenë policia italiane ajo që ka kapur në një kamion TIR që vinte nga Shqipëria një sasi prej 40 kilogramësh heroinë

30

Pa kaluar as dy muaj nga kapja e maunes së parë me drogë në një tjetër vend europian është bllokuar ngarkesa e tretë. Një sasi prej 30 kilogramësh heroinë e pastër turke është bllokuar në një kamion shqiptar TIR

PËRGJIMET

Për muaj me radhë, Prokuroria për Krimet e Rënda dhe zyra kundër Krimit të Organizuar në Ministrinë e Brendshme ka hetuar mbi dy shtetasit shqiptarë të dyshuar si organizatorë të trafikut. Gjergj Dervishi dhe Fatjon Skënderi janë mbajtur nën vëzhgim dhe janë përgjuar në mënyrë konstante nga hetuesit dhe agjentët

HETIMET

Hetimet për dy shqiptarët e akuzuar si krerë të trafikut të heroinës nuk janë kryer vetëm nga shteti ynë. Në duart e hetuesve të çështjes janë letër-porositë me materialet e grumbulluara nga prokuroritë e Italisë, Spanjës, Gjermanisë si dhe Bullgarisë. Të gjitha këto materiale janë bashkuar në dosjen hetimore

TRAFIKU

Linja e trafikut të drogës ka qenë e njohur edhe më parë për policinë shqiptare. Heroina, e cila dyshohet se është prodhuar në Avganistan, hynte në Europë nga Turqia. Më pas ajo kalonte nga Maqedonia deri në vendin tonë. Nga porti i Durrësit ajo shpërndahej më pas në Itali, Gjermani e deri në Spanjë

AKUZAT

Në ngarkim të të arrestuarve Gjergj Dervishi dhe Fatjon Skënderi rëndojnë akuzat për veprat penale të “Organizmit dhe drejtimit të organizatave kriminale” me qëllim trafikimin ndërkombëtar të narkotikëve” dhe “Krijimit të organizatave kriminale”, parashikuar nga nenet 284/a dhe 333 të Kodit Penal.
Ened Janina, Shekulli
Shtuar më 20/10/2005, ora 15:42
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori