Trafikonin të mitura, tre persona të arrestuar në Berat
Tre persona në qytetin e Beratit kanë rënë në prangat e policisë pasi akuzohen për trafikimin e të miturave me qëllime prostitucioni.

Sektori për trafikun e paligjshëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të rënda Tiranë dhe Policinë e Beratit dhe Korçës kanë finalizuar me sukses operacionin e koduar "modelja". Personat e arrestuar në në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë trafikuar jashtë shtetit femra minorene të moshës 15-vjeçare.

Në pranga kanë rënë 25-vjeçarët Klajdi Çela e Besnik Tola, të dy lindur dhe banues në Poliçan të Beratit si dhe 55-vjeçari Sotiraq Dhima, banues në Korçë, i dënuar dy herë më parë, në vitin 2001 e 2004 për veprat penale ”Falsifikim dokumentesh” dhe “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”.

Gjithashtu policia ka spallur në kërkim 48-vjeçarin me inicialet L.M., lindur dhe banues në Poliçan të Beratit, i dënuar më parë për veprat penale “Vjedhje” dhe “Mbajtje pa leje të armëve luftarake”.

Dyshohet se shtetasit në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë rekrutuar drejt Italisë disa minorene, me premtimin se do ti bënin modele dhe më tej i trafikonin jashtë shtetit. Vajzat përzgjidheshin nga vende të thella të vendit.

Mbi të arrestuarit rëndon akuza për masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale të “Trafikimit të të miturve, për shfrytëzim prostitucioni“. Ndërkohë policia po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes. /albeu.com/
Shtuar më 03/03/2015, ora 08:32
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori