Pse falja në Malin Arafat është maja shpirtërore e pelegrinëve myslimanë?

Ata vijnë gjatë errësirës së natës, me mijëra, për t’iu ngjitur kodrës shkëmbore të quajtur Mali Arafat. Ky vend në juglindje të Mekës është pak i njohur përtej botës islame. Për ata që nuk janë myslimanë, ecja përreth Kabasë struktura e zezë në formë kubike në qytetin e shenjtë – është momenti vizual më mbresëlënës që shoqëron pelegrinazhin e haxhillëkut.

Por për myslimanët, është rituali i faljes së të martës në Arafat që përfaqëson thelbin dhe tërësinë e haxhillëkut.

Kodra në fjalë dhe Dita e Arafatit, siç quhet dita e dytë në pelegrinazhin e përvitshëm, mbartin domethënie të jashtëzakonshme për fenë islame. Arafati përmendet në Kuran si vendi ku Profeti Muhamet thuhet se mbajti predikimin e tij të fundit, gjatë haxhillëkut të tij të fundit. Sipas thënieve tradicionale të profetit, Dita e Arafatit është dita më e shenjtë e vitit, kur Zoti afrohet më pranë besimtarëve dhe fal mëkatet e tyre.

Momenti i afrimit me Zotin e bën edhe personalisht më të rëndësishme për shumë njerëz këtë pjesë të pelegrinazhit.

Deri në orën 4 të mëngjesit të së martës, maja 70 metra e lartë ishte e mbushur me besimtarë. Ata u ngjitën në terrenin e saj të ashpër, duke tërhequr pas vetes sendet personale dhe duke kërkuar për një vend të lirë. Ata ulen në grupe në brezaret e gurta dhe në të çarat mes shkëmbinjve.

Disa falen, duke pëshpëritur lutjet e tyre për Zotin me pëllëmbët e hapura drejt qiellit. Disa shijojnë panoramën ndërsa drita e mëngjesit fillon të përhapet. Të tjerë ngrenë krahët për të bërë një fotografi selfie për të shënuar momentin. Spërkatëse të mëdha në formë rrethore hedhin ujë për të freskuar pelegrinët në vapën që shkon me shpejtësi në 45 gradë Celcius.

Me kalimin e ditës, zona përreth malit Arafat u mbush me rreth 1.8 milionë pelegrinë. Pa hije apo fllad, njerëzit filluan të përdorin gjithçka që gjenin për t’u mbrojtur nga dielli. Vullnetarët shpërndanë çadra dhe pije, dhe kamionët e mbushur me arka me shishe uji shtuan kaosin e trafikut. Celularët i mbyllnin për shkak të të nxehtit dhe pelegrinët shponin shishet e ujit dhe i përdornin ato për t’u spërkatur me ujë.

Megjithatë, ata thanë se ishin shumë të lumtur që ishin atje pavarësisht vështirësive.

Khaled Al-Shannik, pronar dyqani 30-vjeçar nga Jordania, tha se haxhillëku nuk ishte Meka. “Haxhillëku është në Arafat”, tha ai, duke përsëritur një nga thëniet e profetit teksa ishte ulur me familjen e tij në një shkëmb të madh. “Të gjithë muslimanët dëshirojnë të qëndrojnë në pozicionin në të cilin jemi ne tani”.

Usman Arshad, student pakistanez 26-vjeçar, eci gati 4,700 kilometra për këtë moment. Ai ishte i vendosur të vinte më këmbë. Prandaj ai eci nga qyteti i tij i lindjes Okara në provincën lindore Punjab, përgjatë gjithë vendit të tij dhe Iranit. Në vazhdim, ai mori një varkë për në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe eci përgjatë Gadishullit Arabik për në Mekë.

“Kishte sfida dhe unë rashë disa herë, por Zoti më ndihmoi të ngrihesha përsëri”, tha ai për udhëtimin, i cili zgjati gjithsej gjashtë muaj.

Zoti Arshad u rrit duke lexuar për haxhillëkun dhe ai njihte njerëz që e kishin bërë këtë pelegrinazh. Ai bisedoi me ta për situatat që e prisnin dhe se si të përgatitej. Gjithashtu bëri hulumtimet e tij, veçanërisht kur ishte fjala për Arafatin.

Arafati është vendimtar për pelegrinët, tha ai, momenti për të marrë faljen e Zotit.

“Kjo nuk është gjë e vogël. Të gjithë besojnë se janë mëkatarë. Nëse na jepet kjo mundësi (për t’u falur), atëherë duhet ta shfrytëzojmë atë”, tha ai. “Arafati është një ditë e bekuar dhe unë ndjej paqe dhe mençuri duke qenë këtu”.

Pelegrinëve u kërkohet të falen në Arafat pas mesditës dhe deri menjëherë pas perëndimit të diellit. Ata nuk duhet të jenë medoemos në kodër dhe mund të qëndrojnë kudo në tokat përreth saj.

Në mesditë, turmat gjigante të pelegrinëve dëgjuan një predikim nga Sheikh Jusuf bin Said në xhaminë e madhe Namirah, e ndërtuar në vendin ku Profeti Muhamed iu drejtua për herë të fundit komunitetit të hershëm mysliman në shekullin e VII. Sheiku përsëriti thirrjen e profetit për unitet.

“Jemi të urdhëruar të jemi të bashkuar dhe na ndalohet ndarja në të gjitha rrethanat, gjë që është edhe më e rëndësishme gjatë sezonit të Haxhit dhe në vendet e ritualeve”, tha ai.

Autoriteti i Përgjithshëm për Statistikat i Arabisë Saudite tha të martën se 1,845,045 njerëz morën pjesë në Haxhin e këtij viti, përfshirë 1,660,915 nga jashtë vendit. Është dukshëm shifër më e ulët se 2,489,406 që morën pjesë në vitin 2019, haxhillëku i fundit i madh përpara pandemisë. Numri i pelegrinëve nga jashtë vendit këtë vit ra me 200 mijë krahasuar me vitin 2019, dhe pelegrinët nga brenda Arabisë Saudite janë vetëm sa një e treta e numrit të atij viti.

Pas perëndimit të diellit të martën, pelegrinët shkojnë në një pllajë në shkretëtirën aty pranë të quajtur Muzdalifa për të mbledhur guralecë, të cilët do t’i përdorin të nesërmen në një ritual simbolik të goditjes me gurë ndaj djallit në Mina. /VOA/


Shtuar 27.06.2023 22:02