“Braktisen” minierat, ministria heq lejet pas konstatimit se ka mbi një vit që s’punohet

Ka arritur në 26 numri i lejeve të revokuara nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë gjatë këtij viti.

Vetëm në muajin gusht MIE njoftoi të paktën tre subjekte për masën e marrë ndaj tyre për shkak se gjatë kontrolleve të kryera janë konstatuar anashkalime të angazhimeve të marra përsipër nga palët.

Kështu për lejet e hequra në gusht MIE ka analizuar se në një prej tyre nuk është punuar prej më shumë se një viti, në një subjekt tjetër objekt kontrolli nuk janë filluar punimet kapitale të parashikuara sipas projektit të miratuar nga Agjencia Kombëtare e Burimeve të Natyrës.

Po kështu një rast tjetër nuk është zhvilluar asnjë aktivitet nga momenti i marrjes së lejes. Më herët pjesa më e madhe e revokimeve u bë gjatë muajit shkurt të këtij viti ku problematikat e konstatuara lidheshin me faktin se subjektet nuk kishin respektuar kërkesat e legjislacionit minerar lidhur me pagesën e garancisë financiare të rehabilitimit për vitin paraardhës.

Një tjetër shkak që konstatohet tek shkresat që u janë nisur subjekteve për nisjen e procedurës së revokimit të lejes minerare ka të bëjë me faktin që në shumë raste janë respektuar kërkesat e legjislacionit minerar lidhur me ndërprerjen e aktivitetit.

Revokimi i lejes është bërë edhe në rastet kur është konstatuar që ka pasur aksident në objektin minerar dhe kur nga analiza që i është bërë situatës është dalë në përfundimin se ka ndodhur si pasojë e mungesës së disiplinës teknike të shkeljes së rregullave të sigurimit teknik.

Teksa në njërën anë është vijuar me revokimet në anën tjetër Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka qenë aktive edhe me vijimin e shpalljes së zonave të reja minerare për interes nga ana e investitorëve potencialë. Janë një sërë procedurash konkurruese që janë zënë vend ku deri më 6 shtator ishte afati për ofertat mbi katër zona minerare. Dy prej tyre për kërkim-zbulim ari ku njëra në Librazhd dhe tjetra në Mirditë.

Ndërkohë pesë zona të reja janë nxjerrë tashmë për subjektet e interesuara me oferta që duhet të dorëzohen deri në 5 tetor. Kryesisht bëhet fjalë për shfrytëzim qymyrguri, gur gëlqeror, mineral ranor silicor në zona të tilla si Korça, Durrësi, Vlora, Fieri./Monitor