Totozani: Zgjidhje urgjente për strehimin e banorëve të përmbytur në Bregun e Lumit
Avokati i Popullit, Igli Totozani, ishte sot në ambientet e grevës së banorëve të komunitetit romë dhe egjiptian, banesat e të cilëve u përmbytën në Bregun e Lumit, në Babrru-Paskuqan.

Totozani konstatoi se kushtet në të cilat ndodhen familjet rome dhe egjiptiane të shpërngulura nga banesat e tyre dhe të sistemuara përkohësisht në palestrën e gjimnazit “Gramoz Palushi” në Paskuqan, janë tërësisht të papërshtatshme, si për strehimin e tyre, ashtu edhe për kushtet higjenike dhe ato shëndetësore për ta.

Më pas Z. Totozani ishte edhe në zonën e përmbytur, ku banesat e komunitetit romë dhe egjiptian ishin krejtësisht të pabanueshme.
Avokati i Popullit mbështetur edhe në inspektimet e mëparshme të kryera nga ekspertët e institucionit rekomandoi ndërhyrjen urgjente të strukturave të Bashkisë Kamëz, për trajtimin dhe zgjidhjen e menjëhershme e dinjitoze të çështjes së strehimit të familjeve të përmbytura në Bregun e Lumit në Babrru e Paskuqan, si dhe verifikimin nga ana e tyre të situatës së rëndë higjenike dhe shëndetësore ku po jetojnë aktualisht pjesëtarë të komunitetit romë dhe egjiptian, në palestrën e gjimnazit “Gramoz Palushi” në Paskuqan.

Ky rekomandim ju drejtua z. Xhelal Mziu, Kryetar i Bashkisë Kamëz, si dhe z. Sadi Vorpsi, Prefekt i Qarkut Tiranë.

Në rekomandimin e hartuar nga Avokati i Popullit për këtë çështje theksohet se: “Gjatë punës tonë, i kemi kushtuar një vëmendje të veçantë trajtimit të ankesave dhe problematikave që kanë të bëjnë me mbrojtjen e të drejtave të individëve dhe garantimin e një trajtimi sa më dinjitoz për të gjitha grupet shoqërore dhe ato vulnerabël, duke përfshirë këtu edhe komunitetin romë dhe egjiptian.

Avokati i Popullit po ndjek me vëmendje të veçantë shqetësimet e ngritura së fundmi nga banorë të Bregut të Lumit, të përmbytur nga vërshimi i ujërave të Lumit me datë 08 nëntor 2016, aktualisht të strehuar në palestrën e gjimnazit “Gramoz Palushi” në Paskuqan, duke monitoruar kryesisht veprimtarinë e organeve të administratës publike në ushtrimin e funksioneve dhe kompetencave që u janë njohur respektivisht me ligj.

Gjendja e banesave të përmbytura në Bregun e Lumit, si edhe kushtet e strehimit dhe jetesës së këtyre banorëve në palestrën e gjimnazit publik “Gramoz Palushi” kanë qenë objekt inspektimi i Avokatit të Popullit, që më datë 17.11.2016, e deri tani, dhe është konstatuar gjendja reale, duke administruar edhe ankesa individuale të banorëve të prekur nga përmbytjet, si edhe ato të strehuar në palestrën e gjimnazit.

Sa më sipër, Avokati i Popullit ka ndërmarrë një proces hetimi të këtij problemi mjaft shqetësues për komunitetin e banorëve të Bregut të Lumit, që jetojnë në kushte shumë të vështira familjare dhe ekonomike, por që tashmë ndihen jo vetëm të pasigurtë lidhur me kushtet dhe gjendjen e strehimit, por edhe të shqetësuar nga mungesa e veprimeve konkrete nga organet e administratës publike për zgjidhjen e problemit të parashtruar dhe gjetjen e një zgjidhje të përhershme dhe dinjitoze për strehimin e tyre.

Ky shqetësim rritet duke patur parasysh edhe faktin se një numër i madh familjesh, janë strehuar në palestrën e gjimnazit të sipërcituar, i cili jo vetëm nuk garanton kushtet minimale të strehimit dhe jetesës, ku banorëve të shumtë u mungojnë edhe ushqimet dhe pijet, por mund të përbëjë një pengesë serioze edhe për mbarëvajtjen normale të procesit mësimor.

Avokati i Popullit, duke iu referuar trajtimit ndërkombëtar të çështjes së respektimit të të drejtave të njeriut, si dhe synimit të proklamuar prej vitesh për të qenë pjesë e familjes së madhe europiane, gjykon se mbrojtja dhe respektimi i të drejtave të komunitetit rom dhe egjiptian, si dhe përmbushja brenda kuadrit ligjor të standarteve minimale të jetesës së pjesëtarëve të këtij komuniteti, duhet të jetë një objektiv i qartë dhe konkret i organeve të pushtetit qendror dhe lokal.

Në rast të kundërt, neglizhenca dhe mosveprimi ndaj shqetësimeve të ngritura nga Avokati i Popullit për një komunitet vulnerabël, do të përbënte një pengesë serioze për arritjen e standarteve ndërkombëtare të respektimit të të drejtave të njeriut, për të cilat Shqipëria është kritikuar vazhdimisht në raportet e organizmave dhe institucioneve ndërkombëtare.

Nga ana tjetër, në përputhje me pikën 2, të nenit 15, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, organet e pushtetit publik, në përmbushje të detyrave të tyre duhet të respektojnë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, si dhe të kontribuojnë në realizimin e tyre dhe jo të bëhen shkak me mosveprimin e tyre në vazhdimin e shkeljes dhe mosrespektimit të këtyre të drejtave.

Kërkojmë nga ana juaj që në frymën e respektimit të ligjit dhe të drejtave e interesave të ligjshme të të gjithë pjesëtarëve të komunitetit rom dhe egjiptian, banorë të Bregut të Lumit, të vlerësoni në mënyrë maksimale dhe serioze të gjitha shqetësimet e ngritura nga Avokati i Popullit dhe të ushtroni autoritetin tuaj me qëllim të gjetjes së një zgjidhje të përbashkët, të përhershme dhe dinjitoze për problemin e strehimit të këtij komuniteti”. /albeu.com/
Shtuar më 29/11/2016, ora 14:27

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori