Totozani: Të godasësh gazetarin është si të ngresh dorën mbi demokracinë!
Avokati i Popullit, Igli Totozani, në Ditën Ndërkombëtare për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë ndaj krimeve kundër gazetarëve, shpreh solidaritetin për punën e vështirë, lodhjen, përkushtimin e gazetarëve dhe gjithë punonjësve të medias, në misionin e tyre të shenjtë për informimin e publikut.

Avokati i Popullit i bashkohet thirrjes së Kombeve të Bashkuara drejtuar qeverive, shoqërisë civile, medias dhe gjithë të interesuarve në zbatimin e ligjit, për t’u bashkuar në përpjekjet globale për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë, ndaj krimeve kundër gazetarëve.

“Është detyra jonë që t’i mbrojmë misionarët e fjalës së lirë. Është detyra e çdo shteti që të parandalojë dhunën ndaj gazetarëve dhe t’u krijojë atyre ambient të sigurt pune, në mënyrë që të ushtrojnë lirisht, me korrektësi dhe paanshmëri profesionin e tyre.

Të godasësh një gazetar është njëlloj si të ngresh dorën mbi demokracinë dhe lirinë. Ndaj ky është një akt që duhet të ndëshkohet sipas ligjit dhe fajtorët nuk duhet t’i shpëtojnë drejtësisë.

Por edhe largimet e padrejta nga puna apo kërcënimet ndaj gazetarëve janë akte të dënueshme që cenojnë parimet themeltare të të drejtave të njeriut dhe të lirisë së shprehjes”, tha Avokati i Popullit, Igli Totozani.

Organizata e Kombeve të Bashkuara shpalli 2 Nëntorin si Ditën Ndërkombëtare për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së krimeve kundër gazetarëve, për të kujtuar vrasjen e dy gazetarëve francezë në Mali, në 2 Nëntor 2013. Viti 2012 u konsiderua si viti më i përgjakshëm ku humbën jetën duke raportuar 123 gazetarë në botë. /albeu.com/
Shtuar më 02/11/2016, ora 10:45

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori