Topi vlereson kontributin e Italise per drejtesine ne Shqiperi
Albeu.com
Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, zhvilloi një takim pune në ambientet e Pallatit të Brigadave, me Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës italiane, Françesko Amirante dhe delegacionin që e shoqëron ...... gjatë vizitës zyrtare në vendin tonë. Gjatë takimit, Presidenti Topi, pasi përshkroi reformat e ndërmarra në vend, si në gjyqësor, reformën zgjedhore, të miratuara me një konsensus të gjerë politik, vlerësoi ndihmesën dhe mbështetjen e vazhdueshme të shtetit fqinj, Italisë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe përparimin drejt integrimit në gjirin e familjes së madhe evropiane.

Kreu i Shtetit, duke nënvizuar rëndësinë që ka pavarësia dhe paanshmëria e pushtetit gjyqësor dhe institucioneve të tij në vendin tonë si dhe puna dhe profesionalizmi i juristëve, të cilët, duke kryer me dinjitet dhe vërtetësi detyrat institucionale, kontribuojnë thellësisht në forcimin e shtetit të së drejtës, vlerësoi gjithashtu kontributin dhe përvojën e institucioneve gjyqësore italiane në reformimin dhe përmirësimin e drejtësisë shqiptare.

Në vijim të bisedës, me cilësinë edhe të Kryetarit të KLD-së, Presidenti Topi vuri në dukje se në kuadër të përmbushjes së aspiratës së integrimit të Shqipërisë në familjen evropiane, zbatimi rigoroz i Kushtetutës dhe ligjeve nga institucionet gjyqësore në vend është një detyrim përparësor dhe se shteti dhe institucionet shqiptare janë të angazhuara maksimalisht në këtë drejtim, në mënyrë që të rrisin besimin tek shqiptarët në sistemin e drejtësisë.

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës italiane, Françesko Amirante, në emër edhe të delegacionit që e shoqëron, shprehu kënaqësinë e veçantë të këtij takimi dhe garantoi përkrahje e mbështetje maksimale në forcimin e sistemit të drejtësisë shqiptare. Në këtë kuadër, theksoi zoti Amirante, janë shumë të vyera vizitat e ndërsjella mes drejtueseve të institucioneve homologe të drejtësisë si dhe shkëmbimi dhe ndarja e vazhdueshme e përvojës pozitive.

Zoti Amirante vlerësoi lart rolin dhe kontributin e Presidentit Topi dhe punën e madhe të bërë nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë gjatë procesit të reformimit gjyqësor në vendin tonë dhe përparimet e shënuara jo vetëm në dhënien e drejtësisë, por edhe në rritjen e besimit në sistemin gjyqësor, duke theksuar që njerëzit e drejtësisë kanë gjithmonë nevojë për më tepër inkurajim dhe mbështetje në vendosjen përfundimtare të shtetit ligjor dhe sigurimin e pavarësisë së plotë të tij.

Në takim ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Italisë në vendin tonë, zoti Saba D’Elia si dhe Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, Vladimir Kristo.
Shtuar më 18/04/2009, ora 01:49
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori