Topi vlereson bashkepunimin me Maqedonine
Pëlqej
Albeu.com
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi ka pritur në takim kryeparlamentarin e Maqedonisë, Trajko Veljanoski, të cilit i përcolli vullnetin dhe angazhimin e shtetit shqiptar për të thelluar bashkëpunimin dypalësh.
Topi vuri në dukje se vizita të tilla i shërbejnë forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve të gjithanshme mes dy vendeve dhe popujve. Ai vlerësoi nivelin e përgjithshëm të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Maqedonisë.

Presidenti Topi po ashtu theksoi gjatë bisedës vullnetin dhe angazhimin e shtetit shqiptar për të thelluar bashkëpunimin dypalësh, sidomos në sektorin ekonomik, duke u fokusuar në rritjen e shkëmbimeve tregtare, intesifikimin e bashkëpunimit në fushën energjitike, transport-telekomunikacion, turizëm, etj.

Veçanërisht, Topi vlerësoi marrëveshjen për heqjen e vizave mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, duke e gjykuar këtë vendim si një kontribut konkret për lehtësimin e qarkullimit ndërmjet dy vendeve, që përbën dhe një vendim të rëndësishëm politik për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore, thuhet në një kumtesë të Presidencës shqiptare.

Në këtë takim, dy bashkëbiseduesit shprehën angazhimin e Shqipërisë dhe të Maqedonisë në procesin e anëtarësimit në BE dhe në NATO.

Nga ana e tij, Veljanovski, i cilësoi marrëdhëniet politike mes dy vendeve të një niveli shumë të lartë duke u shprehur se: “ne jemi jo vetëm fqinjë, por edhe dy vende mike”.

Ai vuri në pah rëndësinë e shkëmbimit të vizitave dhe përvojave të ndërsjella, duke nënvizuar gatishmërinë e Maqedonisë për të ofruar gjithë përvojën e saj integruese në drejtim të përafrimit dhe harmonizimit të legjislacionit me atë të Bashkimit Evropian dhe të fitimit nga Shqipëria të statusit të vendit kandidat për në familjen e madhe evropiane.
Shtuar më 12/11/2008, ora 22:08
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori