Kushton mijëra dollarë, zbulohet distanca nga e cila u qëllua me snajper kundrejt Çapjas

Detaje të reja zbardhen nga atentati me snajper i planifikuar më tetë qershor ndaj Ardian Çapjas.

Pas shumë verifikimesh, qitësit e RENEA, të speciliazuar për armë të atij lloji me të cilën u qëllua Ardian Çapja kanë arritur në përfundimin se distanca ka qenë 346 metra.

Kjo distancë nga Kodra e Krastës deri te vila e të shënjestruarit ka qenë e konsiderueshme dhe ndoshta kjo ndikoi që të mos realizohej atentati ashtu sikurse e kishin parashikuar atentatorët.

Ky është atentati i tretë i ngritur ndaj Çapjas. Ashtu sikundër është raportuar dhe më herët, atorët prej një jave studionin në distancë të gjitha lëvizjet e Çapjas, por edhe personave të tjerë që ishin në rezidencën e tij, pak larg zonës së Krastës në dalje të qytetit të Elbasanit.

Autorët, që sipas Policisë kanë qenë 5 në një makinë janë afruar afër hotelit Univers pronë e Çapjave e dinin mjaft mirë se e gjithë shtëpia dhe hoteli kishin kamera sigurie, deri në rrugën nacionale, ndaj menduan të qëllojnë nga një distancë 346 metra me një armë spajper e vendosur në kodrën e Krastës.

Policia e ka ta qartë tashmë se çfarë ndodhi rreth orës 09:25 minuta të 8 qershorit në shtëpinë e Ardian Çapjas, në të cilën ai u qëllua me armë nga distanca me qëllim eliminimin fizik.

Ndaj tij u qëllua me një snajper mjaft të avancuar, i cili u gjet i djegur në makinën e braktisur të atentatorëve disa minuta pasi tentuan të vrisnin objektivin e tyre.

Bëhet fjalë për një snajper, “Sako TRG M10 .338 Lapua Magnum”, 27 mm, prodhuar në Finlandë, i cili njihet botërisht për saktësinë e tij për shenjestrimin e objektivave disa qindra metra larg.

Arma e përdorur në atentatit ndaj Çapjas me një kërkim të thjeshtë në google kushton nga 6500 deri në 10 000 dollarë në tregun e rregulluar të armëve, ndërsa mendohet se në tregun e zi ai shkon edhe më tepër. Vetë kostoja e kësaj arme tregon se atentati ndaj Ardjan Çapjas është i mirëorganizuar dhe financuar nga personazhe me fuqi financiare.


Shtuar 21.06.2020 12:10