Topi: Sollaku te terhiqet, ka perfunduar dy “mandate presidentesh”
Albeu.com
Presidenti Topi u shpreh se i ka propozuar Sollakut që të bëhet pjesë e reformës në institucionin që ai drejton. Kreu i shtetit ka lënë të kuptohet se është në pritje të një dorëheqjeje nga ana e kreut të organit të akuzës.Kryeprokurori Theodhori Sollaku ka kaluar dy mandate të plota presidentësh dhe tani është në mandatin e presidentit të tretë. Edhe sikur të kishte qenë institucion ku gjërat pozitive të prevalonin sërish, institucioni i prokurorisë do të kishte nevojë për një rifreskim". Kështu u shpreh mbrëmë Presidenti i Republikës, Bamir Topi gjatë një interviste të dhënë për TVSH. Kreu i shtetit u shpreh për domosdoshmërinë që ka për reformë sistemi i Drejtësisë, pjesë e të cilit është edhe organi i akuzës.
Duke u shprehur për komunikimin që ka pasur kohët e fundit me kryeprokurorin, Presidenti Topi u shpreh se i ka propozuar Sollakut që të bëhet pjesë e reformës në institucionin që ai drejton. Kreu i shtetit ka lënë të kuptohet se është në pritje të një dorëheqjeje nga ana e kreut të organit të akuzës, duke u shprehur se "kur Presidenti i shtetit nuk të jep besimin dhe pëlqimin për të konsoliduar detyrën dhe për të vazhduar më tej, në marrëdhëniet normale njeriu e kupton dhe bëhet pjesë e një vendimmarrjeje, pasi i bën mirë klimës për zgjidhje sa më të mirë të saj dhe në mënyrë sa më të butë". Topi u shpreh se megjithëse nisma e Kuvendit për çështjen Sollaku është atakuar në Gjykatën Kushtetuese, një gjë e tillë nuk e pengon parlamentin që të ndërmarrë edhe një nismë tjetër. Kreu i shtetit nënvizoi se politika duhet të ketë shumë kujdes lidhur me këtë çështje për të mos e kthyer atë në një luftë politike, pasi "në këtë mënyrë prokuroria kthehet në një institucion jo vetëm të influencuar nga politika, por edhe në një influencues i madh i politikës".
Kreu i shtetit ka folur edhe për progresin që po bën shoqëria shqiptare, duke iu referuar rezultateve pak më të mira se një vit më parë për korrupsionin, por ai nënvizoi se është e padiskutueshëm fakti se ky progres është në hapa të ngadaltë. I pyetur nëse ka hasur në vështirësi për zhvillimin e tryezave, pjesë e të cilave kanë qenë edhe dy liderët e partive kryesore PS dhe PD, Topi u shpreh se ka qenë shumë e thjeshtë për të, pasi më e rëndësishme se sa prania e dy palëve kundërshtare në tryezë ishte çështja që diskutohej. Gazeta Shqiptare
Shtuar më 29/09/2007, ora 11:25
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori