Topi: Shqipëria plotësisht e vendosur në mbështetje të pavarësisë
Albeu.com
Presidenti Bamir Topi vërejti me shqetësim të thellë zhvillimet lidhur me statusin e Kosovës, por shprehu vendosmërinë e plotë të Shqipërisë në mbështetje të pavarësisë, planit "Ahtisaari" dhe shtoi gjithashtu se Shqipëria e përjashton kategorikisht ndarjen e Kosovës. Presidenti i bëri deklaratat në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Presidenti tha se situata në Kosovë është në një çast delikat.
"Shqipëria është e bindur se rruga e vetme drejt zgjidhjes së drejtë e të qëndrueshme të kësaj çështjeje është zbatimi i paketës "Ahtisaari", e cila falë kontributit pozitiv dhe vullnetit të mirë të palës kosovare, ofron garancitë më të gjera për minoritetin serb dhe çdo minoritetet tjetër si dhe modelin më të mirë në Evropë. Situata në Kosovë është në një moment delikat. Republika e Shqipërisë është në mënyrë kategorike kundër çdo lloj skenari të ndarjes së Kosovës", ka theksuar presidenti Topi.

Presidenti Bamir Topi tha se Shqipëria është shumë e shqetësuar për zhvillimet e fundit që lidhen me statusin e Kosovës.

"Çmimi i çdo zgjatjeje pafundësisht i këtij procesi, do të duhet të na përgatisë të përjetojmë jo vetëm një situatë me rreziqe ekonomike, politike, sociale për Kosovën dhe rajonin, por të jemi dëshmitarë të nënshtrimit të së ardhmes ndaj së shkuarës, të nënshtrimit të së drejtës ndaj padrejtësisë, të humbjes së moderimit ndaj ekstremizmit, të kapitullimit të investimit ndaj dështimit, të shuarjes së shpresës ndaj errësirës, të dorëzimit të europianizmit përpara izolimit", ka thënë Bamir Topi.

Në mbledhjen e sotme presidenti tha se integrimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian përbëjnë boshtin lëvizës të politikës së Shqipërisë, por ai shtoi se integrimi i rajonit është i lidhur me zhvillimet mbi Kosovën.

Në Këshillin e Sigurisë Kombëtare merr pjesë kryetarja e Kuvendit, kryeministri, ministrat, i Brendshëm, i Mbrojtjes, i Jashtëm, i Financave, si dhe drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror. Në këtë mbledhje ishin edhe drejtuesit e partive të opozitës. RTK
Shtuar më 07/09/2007, ora 21:52
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori