Topi: Përgjegjësi për mbarëvajtjen e zgjedhjeve
Presidenti Bamir Topi
Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot në një takim pune Zëvendëspresidenten e Institutit Demokratik Kombëtar Amerikan (NDI), Shari K. Brajan dhe Drejtorin Rajonal për Evropën Qendrore dhe Lindore të këtij Instituti, Robert Benxhamin, si dhe delegacionin që i shoqëron, gjatë vizitës në vendin tonë.

Pasi u uroi mirëseardhjen dhe shprehu kënaqësinë e veçantë të këtij takimi, Presidenti Topi bëri një panoramë të situatës më të fundit politike në vend dhe afrimit të zgjedhjeve vendore të 8 majit 2011 si dhe të rëndësisë së institucioneve të pavarura kushtetuese.

Presidenti Topi vlerësoi rolin e rëndësishëm që ka luajtur dhe vazhdon të luajë Institutit Demokratik Kombëtar Amerikanvendin tonë prej 15 vjetësh, përmes projekteve për zgjedhjet vendore e parlamentare, përgatitjen e liderëve të rinj, për monitorimin e procesit zgjedhor, etj. Në këtë pikë Presidenti Topi, në prag të Festës së 8 Marsit theksoi rëndësinë e rritjes së pjesëmarrjes dhe përfaqësimit të grave në politikë dhe nëpër institucione.

Kreu i shtetit shprehu mirënjohjen për kontributin konkret dhe të specializuar që ky “organizëm i rëndësishëm dhe me famë botërore, i krijuar në vendin kampion të demokracisë”, ka ofruar vazhdimisht nëpërmjet programeve të ndryshme për zhvillimin e shoqërisë shqiptare sipas standardeve demokratike perëndimore.

Gjithashtu, Presidenti Topi, duke vënë në dukje rëndësinë e zgjidhjes sa më shpejt të mosmarrëveshjeve politike dhe ruajtjen e qetësisë e maturisë për zhvillimin me sukses dhe sipas standardeve të duhura demokratike të zgjedhjeve vendore të 8 majit, u shpreh se “edhe në këto zgjedhje vendore, partitë politike duhet të mbajnë përgjegjësitë jo vetëm në drejtim të përgatitjes së infrastrukturës zgjedhore, por edhe të organizmit së fushatës zgjedhore dhe zhvillimit të zgjedhjeve sipas standardeve më demokratike”.

Nga ana e tyre, Zëvendës Presidentja e Institutit Demokratik Kombëtar Amerikan (NDI), Shari K. Brajan dhe Drejtori Rajonal për Evropën Qendrore dhe Lindore të këtij Instituti, Robert Benxhamin, pasi e falenderuan Presidentin Topi për pritjen e përzemërt, shprehën konsideratat më të larta për rolin e rëndësishëm e moderator të Kreut të Shtetit shqiptar si dhe vlerësuan mbështjetjen e vazhdueshme ndaj nismave të ndërmarra nga Instituti amerikan për demokratizimin e mëtejshëm të institucioneve shqiptare.

Zonja Brajan dhe zoti Benxhamin e siguruan Kreun e shtetit shqiptar se do të vazhdojnë të japin kontributin dhe përvojën e tyre institucionale në dobi të realizimit me sukses të të gjitha aktiviteteve të ardhshme të Institutit amerikanvendin tonë.
Shtuar më 07/03/2011, ora 15:39

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori