Topi nis perpjekjet per te kontaktuar me Berishen e Ramen
Albeu.com
Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, ka nisur përpjekjet për të kontaktuar me kryeministrin Sali Berisha dhe kryetarin e opozitës Edi Rama, pas deklaratave publike të dy drejtuesve politikë të cilët pranojnë të ulen në negociata me mediator presidentin e vendit.
Nuk dihet ende nëse Presidenti Topi do t’ia arrijë apo jo për të bindur para uljes në tryezë krerët e dy partive kryesore politike të tërhiqen dhe të lëshojnë pe nga kushtet që kanë, njëri për hapjen e kutive dhe tjetri për të mos e lejuar këtë.

“Në kontekstin e ri politik, Presidenti i Republikës do të vijojë në ditët në vazhdim kontaktet paraprake të punës me kryeministrin e Shqipërisë dhe udhëheqësin e opozitës si dhe me bashkësinë ndërkombëtare, për të përgatitur termat e bisedimeve që do të zhvillohen gjatë tryezës së përbashkët”, thuhej në një njoftim të para dy ditëve të nga Drejtoria e Shtypit të Presidencës.

Gjatë ditëve të fundit, kryetari i PS-së ka përsëritur se nuk heq dorë nga hapja e kutive dhe do të ulet në tavolinë pikërisht për të arritur këtë gjë. Ndërsa kryeministri Berisha deklaroi prerë se, kutitë nuk hapen. Asnjëri prej tyre nuk ka treguar një rrugë të mesme sesi do të zgjidhet kjo mosmarrëveshje për t’i hapur rrugën dialogut, duke lënë përshtypjen e dështimit të bisedimeve ende pa filluar. (start)
Shtuar më 07/02/2010, ora 17:38
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori