Topi ne Diber: Liderët e vjetër shqiptarë, modele të lindjes komuniste
Në kuadrin e takimeve inaguruese të degëve të FRD-së në të gjitha rrethet e vendit, kryetari i FRD-së Bamir Topi ishte sot në qytetin e Peshkopisë. Në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari i FRD-së Bamir Topi vlerësoi lart kontributin e kësaj treve në historinë e Shqipërisë dhe vendin e nderuar që personalitetet e saj historike meritojnë në 100 vjetorin e shtetit shqiptar.



Ai foli më tej për vizionin të etërve themelues për një Shqipëri të begatë, evropiane dhe të zhvilluar, vizion që dallon shumë nga modeli i sotëm politik, ku politika dhe vendimmarrësit duan dhe punojnë për një Shqipëri tjetër, një vend ku ata të sundojnë, pavarësisht bilancit, interesave dhe nevojave që kanë qytetarët. Zoti Topi tha se në këtë 100 vjetor shqiptarët po vijnë të përcarë nga një politikë e mbrapshtë, e cila duhet të merrte fund vite më parë dhe premtoi se FRD në misionin e saj politik do të ketë prioritet themelor bashkimin e shqiptarëve rreth interesave të tyre madhore publike, shtetërore e kombëtare.

Duke folur për aktualitetin politik zoti Topi theksoi se shteti dhe qytetarët kanë nevojë për energji të reja, për vizione të qarta për të adhmen dhe për projekte konkrete zhvillimi. Ai fajësoi direkt qeverinë dhe kryeministrin për premtime të pambajtura dhe propagandë bosh në vend të përgjegjësive konkrete qeverisëse. Shembull për këtë solli premtimin e pambajtur të qeverisë për ndërtimin e Rrugës së Arbrit në 100 vjetorin e shtetit dhe premtoi se ky projekt me rëndësi të madhe për qytetarët dhe vendin do të realizohet brenda mandatit të parë qeverisës së FRD-së. Më tej ai kritikoi mungesën e politikave të qeverisë dhe vëmendjes së saj ndaj qytetarëve të Dibrës dhe zonave të tjera përrreth, duke iu referuar edhe gjendjes së mjerueshme të rrugës nacionale që lidh këto qytete e zona me pjesën tjetër të vendit. Zoti Topi tha se kurrë më parë kjo rrugë kombëtare nuk ka qenë në këtë gjendje dhe se ata që kanë përgjegjësinë për këtë duhet të ndërshkohen me votë popullore më 2013.


FRD do të ketë plane dhe strategji konkrete zhvillimi për të mundësuar cilësi jete dhe standarde zhvillimi për të gjitha zonat, sado larg qofshin ato gjeografikisht nga kryeqyteti dhe pavarësisht votës së tyre politike, gjë që e dallon shumë filozofinë e saj politike me atë të partive të vjetra politike, të cilat i ndajnë shqiptarët në votues pro e kundër dhe mbi këtë bazë ndërtojnë edhe planet e buxhetit dhe investimeve publike.

Zoti Topi shprehu bindjen e tij se më 2013 Shqipëria do të dijë të bashkohet me modelet e atyre vendeve demokratike ku zhvillohen zgjedhje të lira dhe ka rotacion të partive dhe politikanëve. /albeu.com/
Shtuar më 24/11/2012, ora 16:24

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori