Basha nuk tundohet, i përgjigjet sërish Ramës për ftesën: JO!

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha duke folur sot nga Ndroqi, refuzoi edhe njëherë ftesën e kryeministrit Edi Rama për bashkëqeverisje.

Kryedemokrati thotë se kjo ftesë vjen pasi Rama e ka kuptuar që shumica e shqiptarëve kërkon ndryshim dhe kërkon ti bashkohet aleancës së tij qeverisëse.

“Tani që e ka kuptuar që shumica dërrmuese e shqiptarëve kërkojnë ndryshim, tani kërkon të bëhet pjesë e Aleancës qeverisëse për Ndryshim. Përgjigjja ime është: Jo. Sepse sikur e ka thënë dikur vetë, kur ke patur 8 vjet dhe nuk ke arritur dot ato që ke premtuar, nuk i arrin dot për katër vjet të tjera.

Dhe sot shqiptarët e dinë, edhe vëllezërit dhe motrat socialiste e dinë, se rreziku më i madh për familjet tona, për shqiptarët, për Shqipërinë, është një mandat i tretë për Edi Ramën.

Nuk ka ndryshim pa larguar Edi Ramën, Nuk mund të ketë qeverisje me Edi Ramën dhe shërbëtorët e tij. Kjo nuk ka për të ndodhur”, tha Basha në fjalën e tij.

Ai iu drejtua po ashtu “socialistëve dhe socialisteve të ndershëm” që ti bashkohen ndryshimit. “Jeni vëllezërit dhe motrat tona. Ju keni vuajtur të njëjtat probleme, keni të njëjtat shpresa dëshira për familjet tuaja, ndaj ju ftoj ejani bashkojuni ndryshimit të vërtetë që do bëjë të mundur një zgjim ekonom për çdo familje shqiptare, vende pune, uljen e kostove të jetesës. Do të bëj të mundur për çdo shqiptar ndryshimin e vërtetë”.

 


Shtuar 16.04.2021 15:47