Topi: Me Kosovën e pavarur rajoni fitoi stabilitetin
Albeu.com
"Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe krijimit të një shtetit të ri demokratik e multietnik që respekton të drejtat e të gjitha pakicave, rajoni ynë ka fituar një paqe dhe stabilitet afatgjatë dhe synimi e orientimi i mbarë Ballkanit duhet të jetë integrimi euro atlantik".Kështu u shpreh presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi gjatë një takimi që pati me zv/kryeministren dhe ministren e Jashtme të Izraelit, Cipi Livni, duke theksuar vendin dhe rolin e rëndësishëm që luan Shqipëria dhe faktori moderues shqiptar në rajon.
Presidenti i Shqipërisë po merr pjesë në festimin e 60 vjetorit të krijimit të Shtetit të Izraelit dhe në Konferencën Presidenciale 2008 me udhëheqës nga mbarë bota për të shprehur vizionin e tyre mbi të ardhmen.

Ministrja e Jashtme izraelite vlerësoi lart marrëdhëniet shumë të mira të bazuara në miqësinë tradicionale mes dy popujve, duke theksuar se "lidhjet historike dhe trimëria e shqiptarëve në shpëtimin e hebrenjve gjatë Holokaustit janë pjesë e kujtesës historike të kombit hebre, i cili nuk do ta harrojë kurrë këtë".

Livnin ka vënë në pah edhe rolin e moderuar e pozitiv që Shqipëria ka luajtur dhe po vazhdon të luajë në rajon e më gjerë në interes të paqes dhe të qëndrueshmërisë. (QIK)
Shtuar më 15/05/2008, ora 19:26
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori