Topi: Kosova e Shqipëria, të ardhme euroatlantike
Pëlqej
Presidenti Bamir Topi
Presidenti shqiptar Bamir Topi i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Britani, i është përgjigjur intresimit publik mbi tezën e Bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Topi tha se gjatë dekadave të fundit shqiptarët në rajon kanë përfituar nga hapja për të komunikuar më shumë me njeri-tjetrin, dhe forcimin e elementëve të përbashkëta si gjuha, kultura, historia.

Ideve për një bashkim të mundshëm kombëtar ai iu përgjigj: "E ardhmja e vendeve tona, si vende sovrane të lira, patjetër që është në familjen euroatlantike, që do të thotë që ne të gjithë do të bashkohemi në Bruksel."
Presidenti shqiptar inkurajon një bashkëpunim rajonal dhe përmirësimin e marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë, tani pas shpalljes së vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Ai tha për BBC-në se kur të piqeshin kushtet do të mirëpriste uljen në të njëjtën tryezë të udhëheqësve të Kosovës e Serbisë. Zoti Topi tha se, megjithëse me Serbinë nuk mund të bihet dakord për çështjen e Kosovës, ka një numër fushash të tjera bashkëpunimi, përfshirë ekonominë, komunikimin, kulturën, ku të gjitha palët në rajon mund të gjejnë një gjuhë të përbashkët.

Zoti Topi tha se nuk ka ende një ftesë zyrtare për një vizitë të presidentit serb Boris Tadiq në Shqipëri. "Nuk ka një ftesë për presidentin Tadic për të vizituar Shqipërinë," tha zoti Topi i pyetur nëse po vonohej ardhja e presidentit serb në Tiranë siç ishte paralajmëruar më parë.

"Duke marrë në konsideratë që kjo ftesë do të bëhet nga presidenti i Shqipërisë në një rast eventual, përderisa unë e konfirmoj që nuk ka ftesë, çdo gjë tjetër që hamendësohet mbetet në një terren jo real," tha zoti Topi. (albeu.com)
Shtuar më 05/11/2010, ora 16:11
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori