Topi: Jo bisedime me Serbinë pa u sqaruar raporti
Presidenti Bamir Topi
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka deklaruar se përpara se të nisin bisedimet midis Prishtinës dhe Beogradit, më parë duhet të qartësohet raporti i Dik Martit. “Sigurisht që ka dëmtuar klimën, por askush nuk mund të dëmtojë zemrën e perspektivës së shtetit të ri të Kosovës. Dhe meqenëse ju këtë e lidhët me klimën e bisedimeve që duhen të bëhen midis Kosovës dhe Serbisë, ku natyrisht ne kemi inkurajuar që të ketë bisedime për çështje teknike, unë mund të jap një opinion personal, që fillimisht të qartësohen faktet që ai hedh, të cilat janë inekzistente, pastaj të futen në bisedime, sepse kjo ka qenë një politikë shumë e rafinuar e qarqeve serbe për të barazuar viktimën me xhelatin”, ka deklaruar Topi në një intervistë për “Studio e Hapur” në Alsat.

Sipas Topit, tentativa për të barazuar xhelatin me viktimën, është një tentativë, e cila nuk shkon sot në vitet 2010-2011. “Kjo është arsyeja që këto gjëra duhet të sqarohen, por sot, ju e dini që bredh i lirë akoma kryexhelati, i cili ishte në simbiozë me Millosheviçin: Mlladiçi. Për të mbuluar të gjithë këtë situatë, për ta bërë klimën të barabartë sajohen gjithë këto gjëra. Pra është detyrë e institucioneve që t’i sqarojnë sa më shpejt, në mënyrë që të krijojnë një klimë reale, shumë racionale të mundësisë që Kosova dhe Serbia të futen në bisedime teknike, që të krijojnë kushte për një bashkëpunim të dy vendeve sovrane, që të kontribuojnë edhe në zhvillimin e mëtejshëm të klimës së mirë e pozitive që ekziston në Ballkan prej vitesh”, shton presidenti i Republikës.

Ai tha se Shqipëria, nga ana e vet, do ta inkurajojë këtë proces në distancë. Më tej, Topi tha se priste që Kosova të formatojë sa më shpejt të gjitha institucionet e veta, që dalin nga zgjedhjet e përgjithshme politike. Duke folur për Maqedoninë, presidenti Topi tha se faktori shqiptar atje duhet të jetë më bashkëpunues dhe se marrëveshja e Ohrit duhet të zbatohet. “Faktori shqiptar në Maqedoni ka nevojë të jetë më bashkëpunues me njëri-tjetrin. Të mos vazhdohet më me një klimë të tillë tensioni, sepse kjo dëmton jo vetëm imazhin e shqiptarëve pa përjashtim, por edhe interesat e shqiptarëve në Maqedoni”, vijoi ai
Shtuar më 12/01/2011, ora 09:45

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori