Topi: Ardhmeria e Kosoves eshte ne BE
Albeu.com
Dy vjet pas pavarësisë së Kosovës, presidenti i Shqipërisë Bamir Topi në një intervistë për Agjencinë e Lajmeve ‘Kosovapress’, ka theksuar se Kosova nuk është më pikë e dobët e Ballkanit, dhe falë njohjeve të tjera, e ardhmja e Kosovës është në BE.
“Shoh që Kosova ndryshe nga ç’ishte perceptuar nga disa skeptikë, sot nuk është më një pikë e dobët e situatës në Ballkan... Sot është zgjeruar harta politike e interesit për të njohur Kosovën, qoftë në Azi, qoftë në kontinentin afrikan, latino-amerikan ... për ta bërë Kosovën një pjesë të rëndësishme edhe të Organizatës së Kombeve të Bashkuara”, tha Bamir Topi, President i Shqipërisë.

Topi komentoi edhe lëvizjet që ndjek Serbia, lobimin kundër pavarësisë së Kosovës, apo influencimi i saj nëpërmjet strukturave paralele. Topi inkurajoi popullsinë serbe në Kosovë të bashkëjetojë me popullsinë shqiptare, sipas modeleve evropiane që etni të ndryshme jetojnë në një Evropë të bashkuar, pa kufij dhe pa komplekse të së kaluarës. Shqipëria inkurajon dialogun, por është kritike aty ku ky dialog, cenohet nga deklarata ultra-nacionaliste. “Askush nuk mund të bëjë politikë me ambiguitet, pra me dy linja. Në rast se ne inkurajojmë që edhe Serbia të bëhet pjesë e botës evropiane, ajo duhet të pranojë edhe vendimet që ka marrë bashkësia evropiane, të njohë Kosovën si shtet të lirë, sovran, të pavarur. Nuk mund të ketë politika të dyfishta. Nga njëra anë kërkon të anëtarësohesh në BE, nga ana tjetër kundërshton politikat bazale të komunitetit evropian, që kanë të bëjnë me Kosovën”, tha Topi.

Presidenti Topi vlerësuar se do të dëshironte që integrimi i Kosovës dhe Shqipërisë në BE të ndodhte në të njëjtën ditë, të njëjtën orë, që së bashku të ishin pjesë zyrtare e institucioneve evropiane. Topi përqafon planin e kryeministrit grek Papandreu që vendet e Ballkanit të futen në BE, “en bloc” në vitin 2014.
Shtuar më 15/02/2010, ora 22:03
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori