Topalli letër Ramës: Do ndërtojmë parlamentin e ri
Pëlqej
Jozefina Topalli
Kuvendi i Shqipërisë, nëpërmjet sekretarit të Përgjithshëm i ktheu përgjigje sot kryetarit të Bashkisë së Tiranës Edi Rama pas mungesës së tij në mbledhjen e Komitetit Shtetëror për ndërtimin e parlamentit të ri.

Në një letër drejtuar kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli, në mesditë, Rama shprehej se nuk shkoi në mbledhje pasi ky takim nuk kishte rend dite.
“Pavarësisht nga nervozizmi dhe keqkuptimet tuaja të thella, ne ju konsiderojmë jo si një i ashtuquajtur, por ende si një anëtar të këtij komisioni. Me porosi të Kryetares së Kuvendit dhe të Komisionit Shtetëror, ju garantoj se në 100 vjetorin e Pavarësisë do ta bëjmë Shqipërinë me parlament të ri, funksional, dinjitoz siç e meriton”, shkruhet në letrën e dërguar Ramës nga Kuvendi i Shqipërisë.

“Së pari, shprehim keqardhje për keqkuptimin e madh tuajin në lidhje me mbledhjen e Komisionit Shtetëror për ngritjen e Kompleksit të Ri Parlamentar. Siç e dini shumë mirë, rendi i ditës së mbledhjes së sotme ishte përcaktuar dhe vendosur në mbledhjen e kaluar dhe ju keni rënë dakord”, thuhet në letër, duke sqaruar se rendi i ditës i mbledhjes së sotme ishte caktuar që në mbledhjen e javës që shkoi ku Rama ishte i pranishëm.

“Në mbledhjen e kaluar, në të cilën ju ishit i pranishëm, u paraqit lista e gjithë studiove arkitekturore më prestigjioze për t`u ftuar në konkursin për projekt - idenë e Kompleksit të Ri Parlamentar. Edhe për listën e studiove, që do të ftoheshin ju keni rënë dakord. Prezantimi i listës së studiove arkitekturore, që kanë shprehur interes për pjesëmarrje në konkursin ndërkombëtar është përcaktuar në rregulloren e konkursit, edhe për këtë, keni rënë dakord”, thuhet më tej në letrën e Kuvendit drejtuar Ramës.

Sipas saj, në mbledhjen e sotme të Komisionit Shtetëror u bë prezantimi i 25 studiove më të njohura ndërkombëtare, të cilat kanë shprehur interes për të marrë pjesë në këtë konkurs. Komisioni Shtetëror vendosi që të gjitha këto studio të marrin pjesë në konkursin për projekt - idenë për Kompleksin e Ri Parlamentar.
Shtuar më 17/11/2010, ora 19:21
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori