A mundet të mbetet Putin në pushtet edhe pas luftës në Ukrainë?

“Ne nuk kemi një strategji që synon ndryshimin e regjimit në Rusi apo kudo tjetër”- tha Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken më 27 mars, duke theksuar se deklarata e diskutueshme e presidentit Joe Biden, mbi nevojën e largimit të Putin nga pushteti, nënkuptonte thjesht se presidenti rus “nuk mund të fuqizohet për të bërë luftë, apo për t’u përfshirë në një agresion kundër Ukrainës ose një vendit tjetër”.

Megjithatë, ne duhet të pyesim veten nëse skemat mendjelehta të Putinit – si ato të Nikita K.Khrushchev – mund të shkaktojnë rrëzimin e tij. Shokët e Nikita Khrushchev në Presidiumin dhe Komitetin Qendror të Partisë Komuniste zgjodhën në tetorin e vitit 1964 ta largonin nga pushteti Sekretarin e Parë, dhe ta linin atë të tërhiqej në vilën e tij komode,  ku ai do të shkruante kujtimet e tij.

Nikita Sergeyevich u pushua nga puna pas dështimit me Krizën e Raketave Kubane, që për pak rrezikoi të shkaktonte një luftë bërthamore, por që fatmirësisht i kushtoi Kremlinit vetëm një tërheqje të turpshme. Në vitet 1950, Nikita u lavdërua fillimisht për lërimin e “tokave të virgjëra” të Kazakistanit për të shtuar të korrat e drithit.

Ekspertët paralajmëruan se këto toka djerrë do të bonifikoheshin pas disa vitesh. Të korrat e bollshme në mesin e viteve 1950, ndihmuan në konsolidimin e fuqisë së Khrushchev. Të korrat ranë ndjeshëm pas vitit 1959, por Sekretari i Parë i Partisë fajësoi për këtë gjë vartësit e tij.

Ky ishte modeli Khrushchev:ndiq përfitimet afatshkurtra, dhe përballu më vonë me problemet afatgjata. Shokët ia duruan për një dekadë“subjektivizmin” e tij, por e humbën durimin në vitin 1964, dhe më pas e zëvendësuan me Leonid Brezhnev.

Për më shumë se 2 dekada, presidenti rus Vladimir Putin i zgjodhi nismat e tij të guximshme me më shumë kujdes dhe më shumë sukses se sa Khrushchev. Pasi fajësoi terroristët çeçenë për sulmet me bomba në apartamentet e qytetarëve rusë, të organizuara në fakt nga agjentët e tij, Putin nisi një luftë tjetër për të shkatërruar Groznin dhe për të nënshtruar Çeçeninë. Popullariteti i tij u rrit ndjeshëm. Në vitin 2008, forcat e Putinit shkëputën 2 provinca nga Gjeorgjia. Në vitin 2014, Putini u turpërua kur presidenti pro-rus i Ukrainës Viktor Janukovich u rrëzua nga Revolucioni i Dinjitetit në Ukrainë.

Por më pas trupat e Putinit (të ashtuquajturit burrat e vegjël të veshur me të gjelbra) pushtuan Krimenë dhe pjesë të Donbasit në Ukrainën Lindore. Dërgimi i forcave ushtarake ruse në Siri në vitin 2015 për të ndihmuar presidentin Bashar Al-Assad, ka qenë një operacion i kushtueshëm, por tregoi se Rusia është sërish një fuqi e madhe.

Por për dy dekada, Putini bëri shumë pak për të forcuar forcat prodhuese të Rusisë. Për fatin e tij të mirë, çmimet e naftës u rritën në fillimin e viteve 2000. Por në dallim nga sulmet e mëparshme të Putinit, pushtimi i Ukrainës mund të gjykohet si një aventurë vërtetë mendjelehtë.

Ky është një aksion ushtarak në shkallë shumë të gjerë, që përfshin shumicën e forcave luftarake të Rusisë. Luftimet shtrihen deri në kufijtë e NATO-s, dhe kanë provokuar një përgjigje tepër serioze nga Shtetet e Bashkuara dhe të gjithë anëtarët e NATO-s.

Ndërsa operacioni ushtarak i Rusisë po has shumë probleme, dështimet e tij mund ta tundojnë Putinin të përshkallëzojë veprimet, deri në përdorimin e armëve bërthamore, duke rrezikuar një përplasje të tmerrshme me Shtetet e Bashkuara, Francën dhe Britaninë e Madhe.

Operacioni ka qenë i dobët, pasi është bazuar në të dhëna të mangëta të shërbimeve sekrete ruse, dhe tek mendimet e dëshiruara të zyrtarëve rusë. Spiunët e Putinit duhet ta kishin paralajmëruar udhëheqësin e tyre se Ukraina nuk do të dorëzohej lehtë.

Pas vitit 2014, ndjenja anti-ruse në publikun ukrainas u bë më shumë më e fortë, dhe përgatitjet ushtarake ishin shumë më profesionale së më parë. Kreu de fakto i aleancës së NATO-s, presidenti amerikan Joe Biden, kishte shfaqur për vite me radhë mosbesimin e tij ndaj Putinit.

Kësisoj Kremlini duhet ta kishte parashikuar një kundërpërgjigje shumë më të ashpër prej këtij të fundit, në krahasim me atë të presidentit të mëparshëm të SHBA, Donald Trump. Shenja përfundimtare e një operacioni mendjelehtë është dështimi i tij.

Përparimi i trupave ruse ka ngecur. Kanë vdekur më shumë ushtarë rusë (përfshirë 7 ose më shumë gjeneralë) se sa trupa ukrainase, pavarësisht nga sulmet terroriste kundër godinave të banimit. Ndërkohë, sanksionet po e zhysin ekonominë ruse në nivele të reja të ulëta, duke dëmtuar jo vetëm standardet e jetesës, por edhe perspektivat për zhvillimin e ardhshëm industrial dhe teknologjik.

Bota po harron lavditë e Çajkovskit dhe Tolstoit, dhe po fokusohet tek krimet e Putinit. Vetë Putin mund të paditet në Gjykatën Penale Ndërkombëtare. Kur dhe si mund ta rifitojë Rusia nderin e saj? Si dhe kur do të paguajë ajo detyrimet e saj për të kompensuar dhe rindërtuar Ukrainën?

Është e mendueshme, por nuk ka shumë gjasa që presionet publike si ato që e detyruan largimin e presidentit ukrainas Yanukovych në vitin 2014, ta nxisin Putinin të largohet së shpejti nga pushteti.

Megjithëse demonstratat në shkallë të gjerë mund të nisin të shtrihen në të gjithë Rusinë, represioni policor dhe ai ushtarak, do të arrijë ndoshta të frenojë pasojat e tyre. Kontrollet e mendjes nga lart-poshtë, e kanë lënë shumicën e rusëve injorantë për atë që po ndodh në emrin e tyre.

Një grusht shteti në Kremlin nga vetë njerëzit e Putinit, është skenari më i mundshëm për largimin e tij. Nuk ka më një aparat partie, si në kohën e Nikita Khrushchev, që të votojë për çështje të tilla. Po ministrat e Putinit janë të zgjedhur personalisht nga ai, siç është Ministri i Mbrojtjes Sergei Shoigu.

Por ka kompleksitete dhe ndoshta edhe konspiracione midis të fortëve (siloviki) në rrethinën brendshëm të Putinit. Të paktën dy shefa të inteligjencës dhe nënkryetari i Gardës Kombëtare, Rosgvardiya, janë në telashe dhe po hetohen.

I dërguari i Putinit për çështjen mjedisore, Anatoli Chubais, është arratisur në Turqi. Bloomberg raportoi se Guvernatorja e Bankës Qëndrore të Rusisë, Elvira Nabiullina u përpoq të jepte dorëheqje pas fillimit të pushtimit, por Putini e refuzoi largimin e saj.

Nëse zyrtarët e lartë rusë kujdesen vërtet për të ardhmen e tyre dhe të atdheut të tyre, ata mund të arrijnë vetëm në një përfundim:duhet të heqin dorë nga lufta që kanë nisur, për hir të mirëqenies së Rusisë dhe të rendit botëror. /abcnews.al/